30 vajza nga komuniteti Rom, Ashkali dhe Egjiptian fitojnë aftësi profesionale në teknologji nga UBT
27/01/2025Departamenti për Edukim dhe Zhvillim Profesional i UBT-së, në një ceremoni të organizuar me rastin e ndarjes së certifikatave për 30 vajza nga komuniteti Rom, Ashkali dhe Egjiptian, shënoi një moment të rëndësishëm për integrimin dhe avancimin e këtij grupi në fushën e teknologjisë dhe zhvillimit profesional.
Ky trajnim nga UBT kishte për qëllim zhvillimin e aftësive të vajzave në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK), duke ofruar njohuri të avancuara për përdorimin e mjeteve dhe aplikacioneve të rëndësishme si Microsoft Word, Excel, PowerPoint, si dhe teknika të tjera të nevojshme për punësim.
Në fjalën e tij, Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, theksoi rëndësinë e këtij trajnimi për vajzat e komunitetit dhe i inkurajoi ato të vazhdojnë përpjekjet për t’u zhvilluar profesionalisht. Ai e shprehu gëzimin për mundësitë që ofrohen sot dhe i nxitë ato të shfrytëzojnë mundësitë e shumta që janë në dispozicion, duke u ndalur gjithashtu në rolin e rëndësishëm që edukimi ka për prosperitetin dhe zhvillimin e shoqërisë.
“Edukimi është parakusht për stabilitet dhe prosperitet, dhe këto mundësi janë aty, duhet vetëm të keni guximin dhe dëshirën për t’i shfrytëzuar”, u shpreh Rektori Hajrizi.
Rektori Hajrizi gjithashtu theksoi se në UBT do të kontribuohet më shumë në zhvillimin e grupeve dhe grave në përgjithësi, duke ofruar mundësi për edukim dhe trajnim të mëtejshëm. Ai theksoi gjithashtu faktin se 50% e studentëve në UBT janë vajza, të cilat tashmë janë pjesë e programeve akademike dhe profesionale të universitetit. Ky fakt tregon një ecuri pozitive për gratë në arsim, duke pasqyruar përparimin e rëndësishëm që ka bërë UBT në përfshirjen e grave në fushat akademike.
“Mesazhi im, si dhe i UBT-së është që ta shfrytëzoni këtë mundësi dhe të angazhoheni në punë, pasi tani ka shumë mundësi financimi dhe grante për zhvillim në fushën e teknologjisë, një mundësi që duhet të përvetësohet dhe shfrytëzohet. Si UBT, ne mund të japim një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin tuaj profesional. Misioni ynë është të kontribuojmë për shoqërinë, dhe ndihma që ofrojmë për grupet që dëshirojnë të rriten dhe të avancojnë në profesionin e tyre është një kënaqësi e madhe për ne. UBT ka potencialin për të lidhur interesat e ndryshme, duke ofruar mundësi në edukim, arsimim, trajnime dhe bashkëpunime që mund të sjellin rezultate të shkëlqyera për të gjithë”, përfundoi rektori Hajrizi.
Profesor Besnik Skenderi, i cili ishte drejtues i projektit, foli për procesin e trajnimit, duke përmendur se ky ishte një hap i rëndësishëm për të gjithë pjesëmarrësit, duke përfshirë dhe mundësinë që pesë vajza nga komuniteti do të përfitojnë shkollim falas në një program të kualifikimit.
“Pesë vajza nga komuniteti do të përfitojnë shkollim falas në një program të kualifikimit të zhvilluesve të aplikacioneve, vlera e të cilit është 3000 euro për person dhe ofron mundësi të shkëlqyera për avancimin në karrierë. Po ashtu, një tjetër program trajnimi për shkencën e të dhënave do të ofrohet falas për vajza të tjera, si një mundësi për të zhvilluar aftësitë profesionale në një fushë të kërkuar”, u shpreh profesori Skenderi.
Fatlume Rexhepi, një nga vajzat që mori pjesë në këtë trajnim, e cila shprehu mirënjohjen për mundësinë që iu dha, tha se kjo ishte një mundësi e jashtëzakonshme për komunitetin e tyre, veçanërisht për ato që përballen me sfida të shumta. Ajo theksoi se trajnimet ishin shumë të dobishme dhe ndihmuan në zhvillimin e aftësive të nevojshme për tregun e punës, siç janë përgatitja e projekteve dhe prezantimeve, dhe se ky trajnim e ka lehtësuar punën për shumë vajza që tashmë punojnë në administratë dhe fusha të tjera.
Amanda Toska, Zyrtare e Lartë për Programin e Punësimit në VORAE, foli për rëndësinë e bashkëpunimit me UBT-në dhe për të ardhmen e këtij partneriteti. Ajo shprehu kënaqësinë e saj për këtë bashkëpunim të frytshëm dhe e vlerësoi si një mundësi të shkëlqyer për vajzat e komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptas për të avancuar në fushat e punës dhe për të zhvilluar aftësitë e tyre profesionale. Toska përmendi se shumë nga vajzat tashmë po shfrytëzojnë aftësitë e fituara për të përpiluar projekte dhe prezantime në universitete dhe mjedise të tjera profesionale, një dëshmi e suksesit të këtij trajnimi.
Ky program i suksesshëm është një shembull i bashkëpunimit të frytshëm ndërmjet UBT-së dhe organizatave të tjera, që synon zhvillimin e aftësive profesionale të grupeve të margjinalizuara dhe ofron mundësi reale për një të ardhme më të mirë për vajzat dhe gratë nga komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptas.