26 vjet nga bombardimet e NATO-s – Rektori Hajrizi: Një kthesë historike për Kosovën

24/03/2025

Sot shënohet 26-vjetori i fillimit të fushatës së bombardimeve të NATO-s kundër caqeve ushtarake të ish-Jugosllavisë, një moment kyç që shënoi një kthesë historike në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë. Në këtë përkujtim të rëndësishëm, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ka shprehur mirënjohje ndaj bashkësisë ndërkombëtare dhe të gjithë akterëve që kontribuuan në këtë proces historik.

“24 Marsi i vitit 1999 do të jetojë gjatë në kujtesën e shqiptarëve si një moment kyç dhe shumë delikat për popullin e përvuajtur të Kosovës. Kjo datë shënoi fillimin e një fushate bombardimesh nga ana e forcave ndërkombëtare, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian. Ne gjithmonë duhet të jemi falënderues dhe ta kemi në kujtesë si një ngjarje historike pa të cilën nuk do të ishim në pozitën ku jemi sot”, ka theksuar Rektori Hajrizi.

Ai gjithashtu vlerësoi se bombardimet e NATO-s ishin një akt i guximshëm që ndihmoi në ndalimin e spastrimit etnik dhe dhunës sistematike ndaj popullatës civile në Kosovë. “Ky ishte një moment ku drejtësia ndërkombëtare u vu në veprim, dhe kjo fushatë pati një ndikim të madh në sigurimin e lirisë së popullit tonë”, shtoi ai.

Rektori Hajrizi theksoi se është e rëndësishme që gjeneratat e reja të mos e harrojnë këtë periudhë historike dhe sakrificat e bëra për lirinë dhe pavarësinë e vendit. “Kujtimi i kësaj ngjarjeje na kujton përgjegjësinë tonë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë, të bazuar në paqe, drejtësi dhe prosperitet”, përfundoi ai.

Kosova sot vazhdon të zhvillohet si një shtet i pavarur dhe sovran, me synime të qarta drejt integrimit në strukturat euroatlantike, duke ruajtur kujtimin dhe mirënjohjen për mbështetjen ndërkombëtare që i hapi rrugën lirisë.