Përmbyll suksesshëm punimet Akademia Ndërkombëtare Verore e Turizmit

26/07/2022

Akademia Ndërkombëtare Verore e Turizmit, në kuadër të “Global UBT Fest 2022”, ka përmbyllur suksesshëm edicionin e sivjetshëm, i cili është karakterizuar me ligjërata tematika, me diskutime për tema të ndryshme, vizita studimore dhe punëtori.

 

Në këtë akademi, profesoresha Emine Daci Zejnullahi ka organizuar një punëtori me temën: “Zhvillimi i Qëndrueshëm i turizmit në rrafshin e Dukagjinit”, duke diskutuar për rëndësinë e zhvillimit të qëndrueshëm në përmbushjen e nevojave njerëzore pa dëmtuar integritetin dhe stabilitetin e sistemit natyror, teksa profesori Shaqir Elezaj, ka diskutuar për ndikimin e turizmit në mjedis.

 

Ndër të tjera, profesori Sali Krasniqi ka folur rreth turizmit malor dhe bashkëpunimit ndërkufitar, profesori Kushtrim Dreshaj ka shtjelluar temën: “Format dhe llojet e zhvillimit të turizmit”, si dhe profesoresha Fatmire Shala Dreshaj, ka diskutuar për temën: “Turizmi hotelier dhe akomodues në Rugovë”.

 

Në kuadër të aktiviteteve janë realizuar edhe disa vizita studimore nëpër disa fshatra të rajonit të Dukagjinit në Kosovë, për të parë nga afër bukuritë natyrore, si dhe mundësitë që i ofrojnë këto vende për zhvillimin e turizmit.