Nis aktivitetet Akademia Ndërkombëtare Verore e Muzikës Moderne në UBT

06/07/2022

Akademia Ndërkombëtare Verore e Muzikës Moderne, Prodhimit Digjital dhe Menaxhimit ka nisur aktivitetet në kuadër të “Global UBT Fest 2022”, përmes disa ligjëratave tematike që kanë ndërlidhur diskutime të shumë ekspertëve të fushës me temën rreth muzikës së vjetër dhe muzikës së re.

 

Në kuadër të aktiviteteve të akademisë, ligjëruan disa profesorë të UBT-së dhe ekspertë të fushës së muzikës, sikurse Tomor Kuçi dhe Dren Suldashi, të cilët shpalosën nevojën estetike të përtëritjes së efekteve paradigmatike estetike në miksim dhe teknikat e arritjes së tyre me teknologji digjitale.

 

Ndër të tjera, ligjëroi edhe muzikologia Holta Sina – Kilica, për notacionin e vjetër, profesoresha Indira Çipa, shpalosi të dhëna interesante lidhur me notacionin e ri, teksa profesori Liburn Jupolli, ligjëroi lidhur me teknologjinë muzikore dhe për Jazzin, me theks të veçantë zhvillimet në Kosovë.

 

Aktiviteti praktik i frekuentuesve u zhvillua në ansamblin e frymorëve nën drejtimin artistik të Blerim Emërllahu, ku pos studentëve të UBT-së kishte një numër të konsiderueshëm edhe të nxënësve nga disa shkolla të muzikës në Kosovë.