UBT dhe Universiteti “Fan S. Noli” në Korçë, organizuan debat rreth temës “Impakti i gjuhëve të huaja në zhvillimet sociale dhe ekonomike”

02/06/2022

Studentët e Fakultetit Gjuhë Angleze në UBT, të shoqëruar nga dekanja e këtij fakulteti, profesoresha Alma Lama dhe nga disa profesorë të UBT-së, qëndruan për vizitë në Universitetin “Fan S. Noli” në Korçë, me ç’rast organizuan një debat me pjesëmarrjen edhe të stafit akademik dhe të studentëve të programeve bachelor të gjuhëve të huaja të këtij universiteti me temën: “Impakti i gjuhëve të huaja në zhvillimet sociale dhe ekonomike”.

 

Studentët dhe profesorët e UBT-së: Eglantina Bilalli, Denis Celcima dhe Milaim Berisha, u mirëpritën nga zëvendës-rektorja për kërkim dhe marrëdhënie me jashtë e Universitetit “Fan S. Noli” në Korçë, Benita Stavre, e cila ka falënderuar stafin akademik dhe studentor të UBT-së për bashkëpunimin dhe nismat e ndërmarra për diskutime të përbashkëta, të cilat janë në shërbim për të shkuar një hap më lartë.

 

Në debatin e organizuar, studentët: Aneta Vllasaliu, Leonë Hasani, Anila Shala, Nora Suhodolli, Abetare Ahmeti, Ardit Zejnullahu, Olti Gjonbalaj dhe Anjeza Gashi, trajtuan temat e përzgjedhura sipas këndvështrimit të tyre, duke marrë edhe vlerësimet e pedagogëve, si dhe të anëtarëve të jurisë, me ç’rast u shpërndanë edhe certifikata vlerësimi për studentët fitues dhe ata pjesëmarrës.

 

Në fund të këtij aktiviteti, pedagogë e studentë të dy universiteteve u shprehën të kënaqur që u bënë pjesë e kësaj përvoje kaq të veçantë. Pedagogët përgëzuan të gjithë studentët pjesëmarrës për aftësitë e treguara dhe për përgatitjen serioze si nga ana teorike, ashtu edhe nga ajo praktike, duke treguar nivel të lartë komunikimi.