Rektori Hajrizi vlerëson lartë kontributin e koordinatores së ekipit të OKB-së në Kosovë, Ulrika Richardson
02/06/2022Rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi, mori pjesë në takimin përshëndetës dë koordinatores së ekipit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Ulrika Richardson, me rastin e përfundimit të misionit të saj në Kosovë.
Rektori Hajrizi, ka falënderuar koordinatoren Richardson, për bashkëpunimin dhe mbështetjen që ka ofruar përgjatë gjithë kësaj periudhe sa ka shërbyer si koordinatore e ekipit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, duke thënë se kontributi i saj ishte i dukshëm dhe i rëndësishëm në shtyrjen përpara të përmbushjes së objektivave globale për Sustainable Development Goals (SDG).
Duke qenë se UBT është vlerësuar për rezultate të larta në zbatimin e politikave të qëndrueshme që ndërlidhen me industrinë, inovacionin dhe infrastrukturën, si dhe fusha të tjera, bashkëpunimi ka qenë gjithnjë i ngushtë me Agjencinë e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT), si dhe me koordinatoren Ulrika Richardson, duke krijuar kështu diskutime të frytshme me studentë dhe palë të tjera të interesuara rreth politikave të zhvillimit të qëndrueshëm dhe rolit të OKB-së në vendin tonë.
Rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi, beson se bashkëpunimi mes Agjencisë së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT) dhe UBT-së, do të vazhdojë edhe më tutje, duke pasur për bazë veprimin e përbashkët drejt arritjes së qëllimeve për zhvillim të qëndrueshëm, zgjidhjeve të bazuara në inovacion dhe teknologji, si dhe investimeve të reja në arsim për zhvillimin e shoqërisë.