UBT nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Akademinë Diplomatike të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës

21/04/2022

Rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me drejtorin e përgjithshëm të Akademisë Diplomatike të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës, prof. dr. Beqir Ismaili.

 

Kjo marrëveshje e bashkëpunimit e nënshkruar mes këtyre dy institucioneve ka për qëllim bashkëpunimin dhe shkëmbimin e përvojave në fusha të ndryshme me theks të veçantë në fushën e diplomacisë, marrëdhënieve e të drejtës ndërkombëtare, përmes shkëmbimit të ligjëruesve, si dhe ofrimit të ligjëratave me interes reciprok.

 

Palët janë pajtuar që të bashkëpunojnë në projekte konkrete, duke i nënvizuar ofrimin e bursave për studentë nga shtete të kontinenteve të ndryshme.

 

UBT përmes profesorëve dhe ekspertëve të fushave të ndryshme do të prezantojë në Shkollën Pranverore për Diplomatë të Rinj, si dhe në Konferencën Arabe-Evropiane për Mjedis dhe Zhvillim të Qëndrueshëm që do të mbahen në maj të këtij viti në Kosovë, teksa pjesëmarrësit do të kenë mundësi që të vizitojnë hapësirat e UBT-së, për të parë nga afër të arriturat e institucionit, sallat, laboratoret, si dhe teknologjitë që iu ofron studentëve.