Nxënësit e shkollave të mesme të Komunës së Gjilanit vizituan Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së
19/04/2022Përfaqësues të UBT-së, mirëpritën në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, nxënësit e shkollave të mesme të Gjilanit, të cilët përmes projektit që po zhvillon Qendra e Karrierës në UBT, u informuan për shumë elemente të rëndësishme të karrierës.
Përmes këtij projekti, nxënësit e shkollave të mesme të Komunës së Gjilanit, u njoftuan për mënyrën dhe strategjinë e zhvillimit të një karriere profesionale, rreth orientimit sa më të mirë që në të ardhmen profilizimi i tyre të jetë në përputhje me aftësitë dhe shkathtësitë që ata posedojnë.
Duke qenë në njërin prej parqeve më inovative në gjithë Evropën Juglindore, nxënësit patën mundësi të shohin nga afër jetën studentore që zhvillohet brenda Parkut Shkencor Inovativ të UBT-së, dhe njëkohësisht të shohin se si ata do të mund të zhvillohen në vitet në vazhdim.
Tutje, nxënësit u njoftuan nga përfaqësuesit e UBT-së dhe drejtori i Qendrës së Karrierës në UBT, Halil Bashota, me laboratorët inovativ të UBT-së, nga ku veç e veç patën mundësi të shohin punën laboratorike që zhvillohet në laboratore të ndryshme të fushave të ndryshme të studimit.
Kjo nismë e Qendrës së Karrierës në UBT, është një nismë e cila informon të gjithë maturantët në mënyrë të drejtpërdrejtë lidhur me atë se çfarë kërkon tregu i punës dhe me mundësitë që ata mund t’i kenë për t’u zhvilluar në kushtet momentale që i ofron vendi ynë.