Krenare Lika, studentja e radhës që përfiton bursë për shkëmbim studentor në Paris Lodron University of Salzburg në Austri

27/01/2022

Studentja e Fakultetit Shkenca Politike në UBT, Krenare Lika, është përfituese e radhës e bursës për shkëmbim studentor në Paris Lodron University of Salzburg në Austri.

 

Ambiciet e larta të saj, kurioziteti për gjëra të reja dhe interesante, si dhe dëshira e madhe për të ndjekur rrugën e dijes, e ka bashkuar atë me institucionin më të madh akademik në vend – UBT.

 

“Se unë do të vazhdoja studimet në UBT e dija qysh nga viti i parë i shkollës së mesme. Isha aq e vendosur për këtë gjë, edhe pse ishte herët, saqë të gjithë habiteshin dhe më këshillonin të fokusohesha tek e tashmja. E dija se ambiciet e mia, kuriozitetin për botën dhe dëshirën për të ndjekur rrugën e dijes do ma plotësonte ky universitet”, ka thënë fillimisht, studentja e Fakultetit Shkenca Politike në UBT, Krenare Lika.

 

Krenarja, ka thënë se programi që ofron UBT, rezultatet e studentëve, prestigji që posedon, stafi akademik i kualifikuar, si dhe infrastruktura moderne janë disa prej pikave kyçe që veçojnë këtë institucion të arsimit të lartë.

 

“UBT ju ofron dhe dhuron të gjitha produktet që ju nevojiten për të përgatitur atë që ju dëshironi, që nënkupton se çdo hapësirë dhe mjet është nën dispozicionin tuaj, dhe sa më mirë dhe sa më shumë që dini t’i përdorni aq më shumë do të keni sukses”, ka thënë ajo.

 

Krenarja, ka inkurajuar studentët e tjerë që të aplikojnë për shkëmbim studentor, pasi që sipas saj është një mundësi shumë e mirë për të përfituar njohuri dhe përvoja të reja në një vend tjetër me kultura të ndryshme.