UBT bashkëpunim me YTÜ Technopark, qendrën më të madhe teknologjike në Stamboll

22/11/2021

Në kuadër të vizitës në Turqi, rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, vizitoi edhe parkun e zhvillimit teknologjik – YTÜ Technopark, ku u prit nga kryetari i Bordit Drejtues, prof.dr Bahri Şahin.

 

Në rrugën e modelit universitar sipërmarrës të shekullit të 21-të, Yıldız Technical University, në vitin 2003, themeloi parkun e zhvillimit teknologjik – YTÜ Technopark, me vizionin për t’u bërë një qendër ndërkombëtare e bashkëpunimi ku idetë e reja shndërrohen në rezultate inovative.

 

Rektori Hajrizi dhe prof.dr. Bahri Şahin ranë dakord për bashkëpunim ndërmjet YTÜ Technopark në Stamboll dhe Parkut Shkencor Inovativ të UBT-së në fushën e start-up, bashkëpunimit të përbashkët me industrinë, si dhe sjelljen e investimeve te huaja në parqet respektive.

 

YTÜ Technopark ka një hapësirë prej 148.000 m2, brenda të cilit janë akomoduara 330 kompani kërkimi dhe zhvillimi, 111 inkubatorë biznesi me më shumë se 8,000 punonjës të kualifikuar në fushën e kërkimit dhe zhvillimit si; softuer, teknologji informacioni dhe komunikimi, telekomunikacion, elektronikë, farmaceutikë, makineri dhe pajisje, hapësirë ajrore, energji, mbrojtje, ndërtim, ushqim, etj.

 

Parku Shkencor Inovativ i UBT-së, po ashtu është i pajisur me teknologjinë e së ardhmes, Qendrën e Teknologjisë 5G, Qendrën e Realitetit Virtual “EON Reality, Augmented and Virtual Center”, mbi 150 laboratorë të ndryshëm shkencor e kërkimor, inkubatorin e biznesit, qendrën e start-up, atë të inovacionit, transferit teknologjik si dhe qendrat e tjera për një mbështetje moderne të ndërmarrësisë, shkencës, teknologjisë dhe inivacionit.

 

Në parkun e UBT-së, gjithasht  janë të vendosura rreth 100 Spin-offs të fushave të ndryshme të jetës, duke qenë kështu parku i vetëm i këtij lloji në rajonin tonë.

 

Të dyja këto parqe teknologjike janë anëtare të asosacionit ndërkombëtare për parqe shkencore dhe teknologjike – IASP.