Rektori Hajrizi priti në takim drejtorin ekzekutiv të Asociacionit të Komunave të Kosovës
03/11/2021Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi ka pritur në një takim pune, në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, në Lipjan, drejtorin ekzekutiv të Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, të cilin e ka njoftuar me të arriturat dhe sukseset e UBT-së në arenën ndërkombëtare.
Rektori Hajrizi, drejtorin Ibrahimi e ka njoftuar me infrastrukturën, mundësitë, si dhe me potencialin e madh që po e ofron UBT për të bashkëpunuar me të gjitha komunat e Kosovës, duke u mbështetur gjithmonë në faktin se UBT si institucion i arsimit të lartë mbulon të gjitha fushat e jetës me programe unike universitare dhe me trajnime të licencuara.
Ndër të tjera, rektori Hajrizi para delegacionit të Asociacionit të Komunave të Kosovës, tregoi se infrastruktura moderne, teknologjike, si dhe burimet njerëzore dhe profesionale të UBT-së, ndihmojnë shumë në hedhjen e hapave përpara në ndërmarrjen e veprimeve që reflektojnë në përgjegjësinë sociale të institucionit, duke shtuar se bashkëpunimi me komunat e Kosovës dhe me Asociacionin e Komunave të Kosovës e sheh në të njëjtën frymë.
Nga ana tjetër, drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, me rektorin Hajrizi ka ndarë informacione të rëndësishme për Asociacionin e Komunave të Kosovës, iniciativat e ndërmarra, si dhe projektet që janë zhvilluar në kuadër të këtij asociacioni, teksa ka vlerësuar shumë rëndësinë e bashkëpunimit me institucionet akademike për të shtyrë përpara iniciativa dhe projekte të tjera.
Në këtë takim u vendos që nga java e ardhshme të fillojnë takimet me kolegjiumet e drejtorive komunale të cilat operojnë në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës, takime këto që do të fokusohen në tema dhe projekte konkrete në fushën e arsimit, shëndetësisë, zhvillimit urban, e mjedisit.