Rektori Hajrizi pjesë e panelit për ndryshimet klimatike

19/10/2021

Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, ishte pjesë e panelit debatues për ndryshimet klimatike, të organizuar nga Zyra e Koordinatores së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Ambasada e Britanisë së Madhe dhe Ambasada e Italisë në Kosovë.

 

Para një audience të zgjedhur, midis të cilëve ambasadori britanik, Nicholas Abbott, ambasadori italian, Antonello de Riu, koordinatorja për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Ulrika Richardson, përfaqësuesve nga Presidenca, Qeveria dhe shoqëria civile, rektori Hajrizi foli për rolin e universiteteve në sigurimin e të dhënave të sakta për ndryshimet klimatike.

 

Ai tha se UBT është plotësisht e përkushtuar që të kontribuojë si institucion akademik e shkencor në sensibilizimin e opinionit për ndryshimet klimatike, e gjithashtu edhe për krjimin e databazës së monitorimit dhe pasqyrimit të saktë të të dhënave që ndërlidhen me këtë sfidë lokale e globale, mbi bazën e të cilave do të bazoheshin edhe veprimet konkrete në kuadër të përpjekjeve për reduktimin e dioksidit të karbonit dhe ruajtjes së planetit në përgjithësi.

 

“Studimet në UBT janë plotësisht të ndërlidhura me objektivat globale të zhvillimit të qëndrueshëm, e ku përfshihen edhe ndryshimet klimatike”, u shpreh rektori Hajrizi, duke pasqyruar para kësaj audience të zgjedhur programet dhe specializimet e veçanta që ofron ky institucion arsimor në fushën e efiçiencës së energjisë, mjedisit, agrikulturës, bujqësisë, shkencave mjekësore e atyre kompjuterike e të cilat ndërlidhen me secilin prej 17 objektivave globale për zhvillim të qëndrueshëm të njohura si SDG.

 

Ndër të tjerash, rektori Hajrizi tregoi për punën e UBT-së dhe çmimet e fundit ndërkombëtare për impakt real dhe arritje të SDG-ve. Gjithashtu, ai theksoi se UBT përpos kontribuimit përmes hulumtimeve shkencore mbi temën e ndryshimeve klimatike, UBT si institucion lider i edukimit në vend, po shkon përtej duke u zgjeruar edhe në impakt shoqëror përmes zhvillimit të shembujve Small Scale, duke ju referuar qytetit të mençur të UBT-së, “UBT Smart City” për të testuar dhe hulumtuar tutje mekanizmat që promovojnë dhe mundësojnë zhvillimin e qëndrueshëm.

 

Gjatë diskutimit, rektori Hajrizi i dha rëndësi edhe bashkëpunimit me të gjithë palët e interesit që të krijohen sa më shumë mundësi dhe platforma për zhvillim të qëndrueshëm për shkak se sipas tij, Kosova ka potencial dhe mund të ketë pozitë të rëndësishme në këtë fushë.

 

Diskutimet u përmbyllën me shfaqjen e dokumentarit: “Breaking Boundaries”, me autor Sir David Attenborough, ku në këtë dokumentar shfaqen shkaktarët e vërtetë të ndryshimeve klimatike dhe bëhet thirrje urgjente për ndërmarrjen e veprimeve konkrete në shpëtimin e planetit.

 

Ky aktivitet u organizua në kuadër të fushatës Kosovo Climate Action Campaign – Climate Change, pjesë e së cilës është edhe UBT dhe si event për t’i paraprirë Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike që do të mbahet nga 31 tetori deri më 12 nëntor në Galsgow të Skocisë.

 

UBT, po ashtu është ftuar për të marrë pjesë në forumin botëror për ndryshimet klimatike – Climate Impact Forum të organizuar nga revista prestigjioze Times Higher Education në bashkëpunim me programin e Kombeve të Bashkuara për Mjedisin.