QKRMT dhe UBT mbajtën konferencën mbi traumën ndërbrezore “Transgenerational trauma: Evidence-based research on transgenerational trauma, the psychological and social impact of the trauma”

14/10/2021

Në bibliotekën inovative të Parkut Shkencor Inovativ të UBT-së, në Lipjan, me organizim të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës dhe Fakultetit të Psikologjisë në UBT, është mbajtur konferenca: “Transgenerational trauma: Evidence-based research on transgenerational trauma, the psychological and social impact of the trauma”.

 

Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, drejtoresha ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti, psikanalistja, Wiola Rebecka, hulumtuesja në Institutin Danez kundër Torturës “DIGNITY”, Sharlen Wang, profesoresha e asocuar në psikologjinë sociale dhe të traumave, njëherit bashkë-udhëheqëse e grupit të kërkimit të traumave, izolimit social dhe shëndetit mendor në Nottingham Trent University, Blerina Kellezi, si dhe pjesëmarrës të tjerë.

 

Në këtë konferencë është paraqitur një hulumtim i bazuar në fakte mbi traumën ndërbrezore, ndikimin psikologjik dhe social të traumës, ku profesorë të njohur dhe profesionistë të psikologjisë diskutuan dhe shkëmbyen mendimet e tyre rreth kësaj çështje dhe këtij hulumtimi.

 

Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, ka uruar Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës për 22-vjetorin e themelimit, për punën, si dhe për angazhimin përgjatë gjithë këtyre viteve në rehabilitimin e të mbijetuarve të torturës.

 

“Dua të uroj fillimisht Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës për 22-vjetorin e themelimit dhe t’i përgëzojë për punën e mirë dhe të madhe që e kanë bërë përgjatë viteve, duke u marrë me trajtimin e njërës prej plagëve më të dhimbshme të luftës, që të ndihmojë të mbijetuarit e torturës, veçanërisht të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, përmes shërbimeve të ndryshme rehabilituese, mjekësore, psikosociale, si dhe sigurime të qasjes në drejtësi”, ka thënë fillimisht rektori Hajrizi.

 

Ai ka shtuar se kjo qendër është pikë referente për raste të tilla dhe që sipas tij ka krijuar një ndërlidhje të dijes që në të ardhmen mund të përdoret edhe për raste studimore.

 

“Emri i qendrës dhe i zonjës Feride ka qenë pika kryesore referente, dhe mendoj se kjo ka krijuar një ndërlidhje të dijes, njëlloj knowledge generation që mund ta përdorim edhe për studime, edhe për raste të së ardhmes që mund t’i njoftojmë dhe prezantojmë për rrethana tjera, qoftë për edukim, qoftë për hulumtim, qoftë për trajnim klinik, në mënyrë që të kemi sa më pak gjëra të tilla në të ardhmen”, ka thënë rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi.

 

Drejtoresha dhe themeluesja e Qendrës për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti është ka thënë sot janë në një situatë të atillë me më shumë informacione, me raste që po vazhdojnë të trajtohen, duke u përkrahur vazhdimisht e më shumë nga të gjitha kategoritë e njerëzve.

 

“Është hera e parë që 22-vjetorin e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës po e shënojmë në bashkëpunim me një kolegj tani që është i njohur brenda dhe jashtë vendit, pra me UBT-në. Qendra ndër vite ka grumbulluar informacione, ka prodhuar njohuri profesionale, dhe këto njohuri profesionale, po ashtu do të jenë pjesë edhe e akademisë dhe pjesë e këtij institucioni dhe studentëve të cilët marrin dije pranë këtij institucioni të arsimit të lartë”, ka thënë Rushiti.

 

Rreth asaj se pse i bashkoi sot UBT-në dhe Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, ajo ka shtuar se trauma është vërtetuar se bartet ndërbreza, dhe për këtë duhet hulumtim më të gjerë dhe trajtim për këtë kategori.

 

“Studime të ndryshme psikologjike e kanë vërtetuar se trauma bartet ndër breza, mirëpo studime shkencore epigjenetike janë të rralla, pasi që edhe ato shumë vonë janë realizuar, që pothuajse janë në pesëvjeçarin e fundit, dhe fatkeqësisht nuk kemi arritur të gjejmë ndonjë studim ku si grup të interesit i ka vetëm viktimat e dhunës seksuale të konfliktit apo të luftës”, ka potencuar, drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti.

 

Në fund të konferencës, u mbajt edhe një panel, ku pjesëmarrësit: psikanalistja, Wiola Rebecka, profesoresha e psikologjisë në UBT, Violeta Zefi dhe psikologia në QKRMT, Selvi Izeti-Krasniqi kanë diskutuar me të pranishmit e tjerë për njohuritë praktike dhe të bazuara në dëshmi të ekspertëve brenda fushës së traumave, traumave të gjeneratave, psikologjisë sociale, si dhe shërimit të traumave.

 

Psikanalistja, Wiola Rebecka, ndër të tjera, për të pranishmit dhe pjesëmarrësit e tjerë, shtjelloi detaje të librit të saj të titulluar: “Rape: A History of Shame, Diary of Survivors”, që ndërlidhej me aspektin psikosocial të të mbijetuarve të torturës, teksa më gjerësisht ka diskutuar rreth pasojave të traumave në kontekstin më të gjerë socio-ekonomik, si dhe për mënyrën e shërimit të tyre, në mënyrë që kjo gjë të mos kaloj ndër-breza.