UBT – Korça Innovation & Technology Hub, një histori suksesi
04/10/2021Korça Innovation & Technology Hub e menaxhuar nga UBT, është shndërruar në një histori suksesi në fushën e teknologjisë dhe inovacionit në qytetin e Korçës e më gjerë.
Interesimi i madh i të rinjve për programet “Social Media Management”, “Web Programming” dhe “Paketa Adobe” është kurorëzuar këtë të shtunë me diplomimin e fazës së dytë të studentëve, pjesa më e madhe e të cilëve janë punësuar pas trajnimeve të ndjekura e njohurive të fituara.
Në ceremoninë solemne ka marrë pjesë edhe rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi dhe kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, të cilët e kanë vlerësuar lartë performancën e Korça Innovation & Technology Hub në gjashtë muajt e parë të funksionimit, gjatë së cilëve janë diplomuar 90 të rinj prej të cilëve 32 janë punësuar menjëherë, ndërsa 58 të tjerë janë duke punuar si freelancers.
Rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi, ka përgëzuar të diplomuarit që krahas aftësive profesionale tashmë edhe janë punësuar.
“Teknologjia dhe inovacioni sot janë shtylla kryesore e zhvillimit modern e prosperues. E ju që sot po aftësoheni profesionalisht e me kompetenca të plota në këto fusha do të jeni padyshim krahu i fortë i zhvillimit të Korçës në hap me tendet e kohës”, ka thënë me këtë rast, rektori Hajrizi.
Në fazën e dytë janë diplomuar 46 studentë të cilët janë përgëzuar nga kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo.
“Krenar për 46 studentët e parë që diplomohen në Social Media Management dhe programet e tjera që ‘Korça Innovation and Technology Hub’ ofron”, ka thënë Filo.
“Me bashkëpunimin me një prej institucioneve më të njohura në teknologji “UBT” Prishtinë, falë një programi ambicioz do të ofrojmë trajnime dhe mundësi për punësimin e të rinjve në Korçë”, ka shtuar ai.
Korça Innovation & Technology Hub, është një projekt i jashtëzakonshëm inovativ e teknologjik, i cili bën bashkë të kaluarën, përmes bibliotekës me fondin prej mbi 200,000 librash të ndryshëm dhe të ardhmen me mbi 90 projekte inovative e teknologjike të UBT-së.
E konceptuar si një dritare e re frymëzuese për teknologji, inovacion, informacion e sipërmarrje, që u ofrohet të rinjve dhe të rejave të qytetit të Korçës, “Korça Innovation & Technology Hub”, tashmë ka dhënë frytet e para duke aftësuar profesionalisht të rinjtë për t’iu qasur me sukses tregut të punës.
Po ashtu në “Korça Innovation & Technology Hub”, është mbajtur session informues për trajnimin më të fundit që do të fillojë së shpejti – Java Full Stack.