Rektori Hajrizi takohet me ministrin e Ministrisë së Mbrojtjes, Armend Mehaj

28/09/2021

Rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi, ka zhvilluar një takim me ministrin e Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Armend Mehaj.

 

Në këtë takim rektori Hajrizi prezantoi programet e veçanta në fushën e sigurisë që i ofron UBT në nivelin bachelor si dhe nëntë programet ekskluzive të doktoratës që i ofron në bashkëpunim me Institutin e Mbrojtjes së Bullgarisë.

 

Prof.dr Edmond Hajrizi i njoftoi përfaqësuesit e Ministrisë së Mbrojtjes për dy programet e studimeve themelore të UBT-së: Siguria Kombëtare dhe Emergjenca Civile, si dhe Siguria Kibernetike.

 

“Shkathtësi konkrete në analizimin dhe menaxhimin e situatave të ndryshme të sigurisë në nivele të sektorit kombëtar ose specifik dhe inkurajimin për ofrimin e zgjidhjeve problemore janë disa prej elementeve kyçe që i ofrojnë këto programe, duke qenë kështu të nevojshme jo vetëm për vendin tonë por për tërë Evropën Juglindore”, është shprehur rektori Hajrizi.

 

Ndërsa në programet unike të doktoratës që UBT i ofron me Institutin e Mbrojtjes “Profesor Tsvetan Lazarov” në Sofje ofrohen nëntë specializime ekskluzive, tejet të nevojshme për institucionet dhe mekanizmat tjerë që merren me çështje të sigurisë.

 

“Dinamika, balistika dhe kontrolli i fluturimit të aeroplanëve, radiolokimi dhe radio-navigimi, pajisjet radio-transmetuese dhe radio-pranuese, sistemet e automatizuara të procesimit dhe kontrollit të informacionit, pajisjet dhe metodat optike laserike, dizajnimi dhe projektimi i automjeteve dhe aeroplanëve, metodat për kontrollin dhe testimin e materialeve, pajisjeve dhe makinerisë, teknologjia kimike në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, teknologjia e informacionit dhe siguria kibernetike – janë programe të domosdoshme në zinxhirin e sigurisë për secilin shtet e sidomos për Kosovën që po ndërton kapacitetet e saja të sigurisë mbi përvojat më të mira ndërkombëtare”, u shpreh me këtë rast rektori Hajrizi, duke bërë të ditur se për pjesëtarët e FSK-së do të ketë bursa dhe lehtësime të tjera.