Përurohet Kopshti Botanik i UBT-së

28/09/2021

Parkut Shkencor Inovativ të UBT-së, sot iu shtua Kopshti Botanik i UBT-së, i cili është i pari i tillë në vend, e që futet në kuadër të 20 inovacioneve për 20-vjetorin e UBT-së, duke bërë ndërlidhjen unike me Fakultetin Inxhinieri e Agrikulturës dhe Mjedisit në një ekosistem të madh të ndërthurur me shkencë, teknologji dhe inovacion.

 

Me mbi 560 bimë të ndryshme të cilat reprezentojnë bimët të cilat rriten në Kosovë dhe bimë të tjera që vijnë nga jashtë vendit, e që mund të zhvillohen në Kosovë përmes këtij kopshti, studentët e UBT-së dhe jo vetëm, do të kenë mundësi të shfrytëzimit të një resursi të ri brenda ambienteve të institucionit më të madh akademik në vend.

 

Me rastin e përurimit të Kopshtit Botanik të UBT-së, rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi, është shprehur i lumtur se po plotësohet edhe një pjesë e ekosistemit që ndërlidh shkencën, teknologjinë dhe inovacionin në një vend, duke i ofruar studentëve edhe pjesën praktike përbrenda hapësirave të institucionit.

 

“Kjo zonë do të jetë një zonë e rëndësishme për studentët ku ata do të mësojnë se si zhvillohen bimët dhe do të përcjellin tërë procesin e zhvillimit të tyre, duke ndihmuar në aspektin e ngritjes së kompetencave të mira për studentët tanë, poashtu duke u ofruar edhe mundësinë e hulumtimeve shkencore, kështu duke qenë kontributdhënës të mëdhenj në pjesën tjetër që ne e quajmë zhvillim i qëndrueshëm”, ka thënë rektori Hajrizi.

 

Dekani i Fakultetit Inxhinieri e Agrikulturës dhe Mjedisit, prof.dr Fidan Feka, ka falënderuar rektorin Hajrizi për zhvillimin e një kopshti të tillë që iu kontribuon shumë studentëve të agrikulturës, duke vlerësuar se ky kopsht do të jetë një ndihmesë e madhe për kryerjen e punës praktike e hulumtimeve shkencore.

 

Kopshti Botanik i UBT-së, i hap rrugën zhvillimit të mëtutjeshëm të zgjerimit të vlerave të UBT-së, në fusha të ndryshme të studimit, duke vazhduar rankimin e institucionit në pozita të larta, për sa i përket impaktit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.