Arrijnë në Kosovë pajisjet nga FIRST Global Challenge – ekipi përfaqësues i Kosovës gati për një tjetër sfidë ndërkombëtare

22/09/2021

Sot në UBT kanë arritur pajisjet nga FIRST Global Challenge, me pjesët e nevojshme që do t’iu duhen ekipit përfaqësues të Kosovës për të ndërtuar një prototip të një sateliti tokësor dhe një robot, si një nga sfidat që janë në kuadër të kësaj gare.

 

UBT edhe këtë vit me ekipin e përbërë nga: Elta Bajrami, Vlera Saraçi, Riona Krosa, Alba Ratkoceri dhe Mërgita Alija, nën mentorimin e Elita Hajrizit dhe Roni Kasemit, janë duke e përfaqësuar Kosovën në garën më të madhe ndërkombëtare për fushën e robotikës FIRST Global Challenge.

 

Në mesin e 170 shteteve pjesëmarrëse, ekipi nga Kosova në fazën e parë të kësaj gare ka ideuar dhe dizajnuar projektin për qasjen e barnave në formën online, të quajtur “E-Pharm”, si një barnatore digjitale që lehtëson blerjen dhe dërgesën e barnave online.

 

Përgatitja e ekipit përfaqësues të Kosovës po bëhet në laboratorët inovativ të mekatronikës që janë në UBT, të cilët plotësojnë të gjitha kushtet e nevojshme për t’i dalë në ndihmë këtij ekipi për ta përfaqësuar Kosovën denjësisht në këtë garë.

 

Vite më parë, kujtojmë se UBT është vlerësuar lartë nga organizatorët e kësaj gare, duke marrë medalje të artë për kontributin dhe mbështetjen që institucioni po shfaq për FIRST Global Challenge, si dhe për zhvillimin e STEM (Science, Technology, Engineering and Mathematics) gjithandej botës ku po merr pjesë.