Nesër përurohet Qendra për Realitet Virtual dhe të Shtuar – pjesëmarrës presidenti i “EON Reality”, Dan Lejerskar

16/09/2021

Kompania gjigante e teknologjisë virtuale “EON Reality” dhe institucioni lider i arsimit në Kosovë – UBT, nesër duke filluar nga ora 11:00, në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, do të inaugurojnë Qendrën për Realitet Virtual dhe të Shtuar “EON Reality, Augmented and Virtual Reality Center”, një investim që kap vlerën e 30 milionë dollarëve.

 

Në ceremoninë solemne e cila do të mbahet në Parkun Shkencor dhe Inovativ të UBT-së, në Lipjan, do të marrin pjesë presidenti i “EON Reality”, Dan Lejerskar dhe rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi si dhe përfaqësues të institucioneve të Kosovës.

 

Përmes Qendrës për Realitet Virtual dhe të Shtuar, në sistemin arsimor të Kosovës do të instalohet sistemi arsimor i së ardhmes, ku gjeneratat e reja shumë shpejt do të fillojnë që të mësojnë duke praktikuar (Learning by Doing).

 

Kjo qendër do të jetë burim i gjenerimit të produkteve virtuale, që do të ndryshojë rrënjësisht dhe përgjithmonë mënyrën e qasjes ndaj problemeve dhe zgjidhjes së tyre, teksa do të shndërrohet edhe në gjenerues të qindra vendeve të punës dhe të shpalosjes së pasionit dhe talentit për të rinjtë nga Kosova dhe mbarë rajoni.