UBT renditet në mesin e top 100 universiteteve më të mira në botë për Impakt Real – WURI 2021

27/08/2021

UBT ka arritur një sukses tjetër të jashtëzakonshëm ndërkombëtar duke u renditur në mesin e 100 universiteteve më të mira në botë për inovacion.

Në listën e “World’s Universities with Real Impact (WURI)”, të cilës i prijnë universitetet prestigjioze si Stanford e Harvard, për herë të parë për arritje të pakrahasueshme, radhitet edhe një bartës i arsimit të lartë nga Kosova.

UBT po e mban lartë flamurin e Kosovës në arenën ndërkombëtare ku viteve të fundit ka korrur suksese të mëdha në gara të forta përballë universiteteve me histori qindra vjeçare.

Institucioni lider i edukimit në vend – UBT, është vlerësuar nga WURI për rolin e jashtëzakonshëm inovativ, duke u renditur në mes të 51-100 universiteteve më të mira për Impakt Real në Menaxhim të Krizave, Impakt Real në Shpirt Sipërmarrës, Impakt Real në Vlera Etike dhe Impakt Real në Aplikime Industriale. Ndërsa është radhitur në mesin e 52-100 universiteteve më të mira për Impakt Real në Mobilitet dhe Mundësi për Student dhe në mesin e 101-200 universiteteve më të mira për Impakt Real.

Kjo renditje nga WURI nuk bazohet në traditën, reputacionin ose popullaritetin e një universiteti, por përkundrazi fokusohet në koncepte të reja të tilla si inovacioni, sipërmarrja, përgjegjësia dhe menaxhimi i krizave. Këto janë fushat ku janë shënuar arritje të mëdha nga UBT e të cilat janë vlerësuar ndërkombëtarisht nga organizata prestigjioze WURI.

“Kemi kënaqësinë t’iu informojmë se UBT është zgjedhur si një nga universitetet më novatore midis Universiteteve Botërore me Ndikim Real (WURI) për renditjet e vitit 2021”, thuhet në letrën që Hwy-Chang MOON, drejtor themelues i “The WURI Ranking” i ka dërguar Presidentit dhe themeluesit të UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi.

“Edhe pse WURI 2021 renditi MIT, Stanford dhe Harvard në krye të listës, ai gjithashtu përfshiu shumë institucione të arsimit të lartë më pak të njohura por jashtëzakonisht novatore të cilat nuk ishin shfaqur më parë në renditjet e tjera tradicionale të universiteteve”, shtoi tutje Moon.

“Ne besojmë se përvojat tuaja me programe inovative janë të denja për t’u ndarë me institucionet e tjera të arsimit të lartë. Duke pasur parasysh sfidat e mëdha si rezultat i pandemisë COVID-19, përvoja të tilla tani janë më të vlefshme se kurrë”,  thuhet ndër të tjera në letrën që drejtori themelues i “The WURI Ranking” i ka dërguar rektorit Hajrizi, përmes të cilës UBT është inkurajuar për të marrë pjesë edhe në renditjen e WURI 2022, për të prezantuar arritjet e reja inovative gjatë vitit të ri.

Presidenti dhe themeluesi i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, e ka vlerësuar lartë këtë rangim për UBT-në, duke e parë këtë si produkt të investimeve të mëdha disavjeçare në këtë institucion, përfshirë krijimin e një ekosistemi super modern dhe cilësinë e pakrahasusshme të mësimdhënies.

“UBT ka një komunitet të jashtëzakonshëm, një infrastrukturë moderne dhe një rini të mrekullueshme. Të tri këto komponente, të bashkuara në një Park Inovativ e Shkencor në UBT, po e lartësojnë çdo ditë imazhin e Kosovës përballë botës me arritje të mëdha në secilën fushë“, ka thënë rektori Hajrizi.

“UBT si institucion lider i arsimit është shndërruar në institucion model në rajon e më gjerë. Do të synojmë ta bëjmë Kosovën vend atraktiv e konkurrues edhe për studentët e vendeve të tjera, duke dëshmuar para secilit se cilësia dhe arritjet shkencore e teknologjike i përkasin institucioneve inovative e nuk janë ekskluzivitet i traditës apo popullaritetit”, shtoi tutje rektori Hajrizi.

Gjatë këtij viti, UBT është anëtarësuar në “European University Association” e po ashtu është renditur mes institucioneve më të mira në botë për impaktin në zhvillimin e qëndrueshëm sipas revistës prestigjioze “Times Higher Education”, përderisa në të njëjtën kohë ka arritur nivelin më të lartë në rankimin “Positive Impact Rating Edition 2021”.