Koordinatorja për Zhvillim e OKB-së në Kosovë, Ulrika Richardson, vizitoi UBT-në

26/08/2021

Koordinatorja për Zhvillim e Agjencive të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT), Ulrika Richardson, javën e kaluar, vizitoi Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, ku u prit nga rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, i cili prezantoi ekosistemin e këtij institucioni lider arsimor në Kosovë.

 

Në këtë takim, rektori Hajrizi foli edhe për arritjet e shënuara në sferën ndërkombëtare ku UBT në renditjen globale “Impact Rankings 2021” të publikuar nga revista prestigjoze, Times Higher Education, është pozicionuar në mes të institucioneve më të mira në botë për impaktin në zhvillimin e qëndrueshëm, e që ndërlidhet edhe me objektivat e agjencive të Kombeve të Bashkuara në Kosovë që funksionojnë nën ombrellën e UNKT-së.

 

“UBT është vlerësuar nga Impact Rankings 2021 për rezultate të larta në zbatimin e politikave të qëndrueshme në të cilat lidhen me industrinë, inovacionin dhe infrastrukturën (SDG 9), kontributin për paqen, drejtësinë dhe institucione të forta (SDG 16), mirëqënien shëndetësore dhe fizike (SDG 3), partneritetin shumë-dimensional për zhvillimin e qëndrueshëm (SDG 17) si edhe zhdukjen e varfërisë (SDG 1)”, u shpreh me këtë rast rektori Hajrizi.

 

“Në veçanti, në këtë vlerësim UBT dallohet për impaktin për partneritetin shumë-dimensional për zhvillimin e qëndrueshëm (SDG 17), ku përveç renditjes së shkëlqyer në këtë rankim, vlerësohet me notën më të lartë për impaktin në zhvillimin e kapaciteteve dhe strukturave për STEAM, që për ne si UBT dhe Kosovën është një arritje e shkëlqyer”, shtoi ai.

 

Rektori Hajrizi po ashtu vlerësoi mbështetjen e agjencive të Kombeve të Bashkuara në Kosovë përmes projekteve të shumta, duke veçuar me këtë rast punën e mirë të bërë nga UNDP.

 

Veprimi i përbashkët drejt arritjes së qëllimeve për zhvillim të qëndrueshëm, zgjidhje të bazuara në njohuri dhe inovacion ishin temat kyçe të këtij takimi gjithmonë duke u bazuar në investime të reja në arsim dhe zhvillim në shoqëri.