Mësimdhënia dhe Mësimnxënia

UBT BA Konceptet e mësimdhënies dhe të vlerësimit 

Kalendari akademik jep informata për datat specifike të rëndësishme, duke ofruar informata për fillimin dhe përfundimin e ligjëratave, afatet e rregullta të provimeve, afatet për regjistrim dhe për nënshtrim në provime. 

Kalendari akademik aprovohet çdo fillimvit nga Këshilli Akademik. Një vit akademik zgjat 40 javë dhe është i ndarë në dy semestra: semestri Dimëror dhe semestri Veror (të dy nga 15 javë) me tre afate të rregullta të provimeve në këto afate (në Janar,Qershor dhe Shtator). Pesha normale e studimeve është 30 ECTS kredi për semestër.  

Në mënyrë që të mbajnë statusin e studentit, studentët duhet të kenë së paku 45 ECTS kredi për vit akademik. Dokumenti bazik për organizimin e studimeve gjatë semestrit është orari i ligjëratave, përmes të cilit synohet shpërndarje e drejtë dhe e barabartë e peshës së studimeve gjatë gjithë kohës së studimeve. 

 

Mësimdhënia: Mësimdhënia ofrohet përmes ligjëratave interaktive, seminareve, si dhe mësimeve individuale. Praktika e zakonshme është që gjatë javës të ketë dy orë ligjëratë dhe një ose  dy ushtrime varësisht nga lënda. Në përshtatje me qasjet pedagogjike, disa njësi mund të kërkojnë një mësimnxënie më direkte. Në shumë lëndë, studentëve u kërkohet të lexojnë disa materiale obligative, zakonisht 10-15 faqe për ligjëratë. Po ashtu, punimet që zakonisht kërkohen janë punime kërkimore deri në 15 faqe. Ligjëratat tematike janë mundësi që u ofrohen studentëve që të diskutojnë më thellë tema që kanë të bëjnë me fushën e tyre të studimit dhe të marrin opinione shtesë për temat e caktuara. Prandaj, pjesëmarrja në ligjërata tematike është e obligueshme. Platforma elektronike Moodle, e bën shumë më të lehtë komunikimin profesor – student. Në këtë platformë profesorët mund të vendosin të gjitha materialet relevante për lëndën e tyre, të organizojnë kuize online, të komunikojnë rezultatet e testimeve, të dërgojnë njoftime të ndryshme tek studentët, si dhe t’u përgjigjen pyetjeve të studentëve. 

 

Vlerësimi: Vlerësimi bëhet përgjatë gjithë semestrit dhe bazohet në punë ekipore, punë individuale, prezantime si dhe provime me shkrim. Të gjitha lëndët janë të përshkruara në PlanProgramin e Fakultetit, ku çdo syllabus përshkruan kërkesat kryesore, mënyrat e vlerësimit, si dhe literaturën obligative. Nga viti i dytë i studimeve, studentet janë motivuar të zhvillojnë punime seminarike me ç’rast në bashkëpunim me profesorin e fushës inkuadrohen edhe në Konferencën vjetore të UBT-së  ndërsa në vitin e fundit të studimeve, studentët duhet të punojnë një Punim Diplome. Zakonisht, gjatë tre viteve akademike, provimi me shkrim ka peshë prej 50-60%, kurse aktivitetet tjera plotësojnë edhe 40-50% të notës finale.