Përmbyllet ANV e Fakultetit Shkenca Politike – flitet për sigurinë kibernetike dhe sigurinë nacionale
08/07/2021Dita e katërt e Akademisë Ndërkombëtare Verore të Fakultetit Shkenca Politike në UBT ka vazhduar me ligjërata dhe tematika të ndryshme të cilat janë duke iu kontribuar jashtëzakonisht shumë pjesëmarrësve e politikëbërësve, me sesione trajnimi të strukturuara, e me elemente teorike e praktike që synojnë formulimin dhe zbatimin e politikave dhe iniciativave të migracionit dhe zhvillimit.
Pas vizitës së komandantit të KFOR-it në Kosovë, Franco Federici dhe ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, si dhe ligjëratës së prof.dr Edmond Hajrizi rreth zhvillimit dhe rëndësisë që i jep UBT fushës së Shkencave Politike dhe studimeve të sigurisë, dita e katërt ka vazhduar me ligjëratën e ish-gjeneralëve të Kolegjit të Mbrojtjes së NATO-s, Giuseppe Morabito dhe Giorgio Batisti.
Ata kanë diskutuar me studentët dhe pjesëmarrësit e tjerë rreth fake news, si dhe kanë prezantuar zgjidhje të mundshme rreth kësaj tematike, përderisa kjo temë zgjoi interesim te studentët dhe të pranishmit, duke krijuar një interaktivitet mes gjeneralëve, profesorëve dhe studentëve pjesëmarrës.
Dita e katërt ka vazhduar me ligjëratën e kolonelit dhe profesorit izraelit, prof. Gabriel Siboni, i cili ka ndarë njohuri nga ekspertiza dhe hulumtimet e tij rreth sigurisë kibernetike dhe sigurisë kombëtare, si dy çështje jashtëzakonisht të rëndësishme që ndërlidhen me fushën studime të sigurisë.
E Akademia Ndërkombëtare Verore e Fakultetit Shkenca Politike është përmbyllur me shefin e stafit të KFOR-it në Kosovë, gjeneral brigade John Maier, i cili ka diskutuar mbi marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Kosovën, teksa i pranishëm ishte edhe rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi dhe ish-gjenerali i Kolegjit të Mbrojtjes së NATO-s, Giuseppe Morabito, ku me këtë rast së bashku ndanë edhe certifikatat për pjesëmarrësit e kësaj akademie.