ANV e Fakultetit Shkenca Politike në UBT nisi aktivitetin e saj – diskutohet rreth rrugëtimit të Kosovës në NATO
05/07/2021Ka filluar aktivitetin Akademia Ndërkombëtare Verore e Fakultetit Shkenca Politike në UBT, me ligjërata të pasuruara me tema interesante që preokupojnë fushën e shkencave politike dhe sigurisë.
Përfaqësuesja e ARKEP, Rrezarta Ajeti, ka ligjëruar për të pranishmit dhe studentët pjesëmarrës rreth çështjeve që ndërlidhen me sigurinë kibernetike dhe për mundësinë dhe mënyrat e bashkëpunimit.
Aktiviteti i Akademisë Ndërkombëtare Verore të Fakultetit Shkenca Politike në UBT, ka vazhduar me këshilltaren e Këshillit Ushtarak të IT-së, në KFOR, msc. Gladiola Kapaj, e cila ka ligjëruar rreth rrugëtimit të Kosovës drejt NATO-s, mundësitë dhe rrugën që duhet ndjekur Kosova për këtë proces.
Akademia Ndërkombëtare Verore e Fakultetit Shkenca Politike në UBT është duke u mbajtur në kuadër të festivalit ndërkombëtar të dijes “Global UBT Fest 2021” dhe do të sjellë shumë ekspertë ndërkombëtarë të fushës së politikës dhe sigurisë.