Me koncert madhështor, Fakulteti Muzikë Moderne, Produksion Digjital dhe Menaxhment në UBT përmbyllë semestrin veror të vitit akademik 2020/21

21/06/2021

Sukseset e tyre përgjatë semestrit veror të vitit akademik 2020/21, Fakulteti Muzikë Moderne, Produksion Digjital dhe Menaxhment në UBT i kurorëzoi me një koncert madhështor.

 

Nën tingujt e instrumenteve që morën vëmendjen e të pranishmëve e që dirigjoheshin nga studentët dhe bendi i UBT-së, në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, u krijua një atmosferë e jashtëzakonshme e cila u përcoll me hite të artistëve më të njohur të muzikës moderne, si dhe me këngë origjinale të kompozuara nga vet studentët.

 

I pranishëm në këtë koncert ishte edhe rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi i cili falënderoi studentët dhe stafin e Fakultetit Muzikë Moderne, Produksion Digjital dhe Menaxhment, për organizimin e këtij koncerti, duke thënë se ky event është një vlerë e shtuar për UBT-në.

 

“Ky koncert i organizuar nga Fakulteti Muzikë Moderne, Produksion Digjital dhe Menaxhment në UBT, bashkë me studentët e këtij programi, dëshmon punën e palodhshme dhe angazhimin e tyre përgjatë gjithë vitit akademik. Kompozimet e reja që studentët personalisht i kanë punuar janë një vlerë e shtuar për artin dhe muzikën kosovare, dhe kjo me të vërtetë është një ndjenjë e mirë për të gjithë ne”, ka thënë rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi.

 

“N’menën tem”, “Delja Rude”, “Too Late”, “Kalorësit e asfalltit”, si dhe “Variacione mbi temën Lulebore të Simon Gjonit”, ishin vetëm disa prej kompozimeve të cilat u prezantuan në koncertin e mbajtur në ambient të hapur në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, në Lipjan.

 

Ky organizim, tashmë i shndërruar në tradicional pas përfundimit të suksesshëm të semestrit veror nga Fakulteti Muzikë Moderne, Produksion Digjital dhe Menaxhment në UBT, edhe këtë herë nxorri fytyra të reja të studentëve të cilët performuan në mënyrë fantastike, duke dhënë një shenjë se në të ardhmen do të ketë një garë të fortë mes talentëve të muzikës në Kosovë për përfaqësimin e vendit në festivalet më të mëdha të muzikës në arenën ndërkombëtare.