Studentja e Fakultetit Media dhe Komunikim në UBT, bëhet pjesë e portalit UBTNEWS

11/06/2021

Arjeta Ibishi është studentja e radhës e Fakultetit Media dhe Komunikim në UBT, që është ambientuar në tregun e punës, duke u punësuar në portalin UBTNEWS, me ç’rast është angazhuar në cilësinë e gazetares e cila përcjell ngjarjet e ditës nga fusha të ndryshme të jetës.

 

Studimet në programin Media dhe Komunikim Arjetës i kanë dhënë kompetenca të larta në fushën e gazetarisë dhe komunikimit, duke punuar me profesionistët më të mirë që ka fusha e medias, e që ligjërojnë në UBT.

 

“Programi Media dhe Komunikim në UBT më ka bindur menjëherë se kjo është ajo çfarë unë realisht kërkoja, një gërshetim unik i komunikimit me median, pra gazetari, marrëdhënie me publikun, fotografi, kamerë dhe marketing”, ka thënë fillimisht studentja e Fakultetit Media dhe Komunikim në UBT, Arjeta Ibishi.

 

Sipas Arjetës, ky kombinim i programit i ka sjellë asaj benefitet më të mira për një përgatitje profesionale, që e ka ndihmuar atë të jetë e denjë dhe e gatshme për tregun e punës.

 

“Gërshetimi i programit ishte diçka ndryshe, dhe monotonia asnjëherë nuk kishte vend te studentët e medias, sepse gjithmonë kishte diçka të re, diçka ndryshe, vizitë studimore ose sfidë e re që na bënte me dije se kjo është media dhe ky është komunikimi, ndaj kjo ishte zgjidhja më e mirë për mua”, ka thënë ajo.

 

Arjeta, i është bashkuar numrit të madh të studentëve që kanë studiuar në Fakultetin Media dhe Komunikim në UBT, dhe menjëherë janë ambientuar në tregun e punës, teksa UBT me zhvillimin e portalit UBTNEWS, studentëve të këtij programi u ka ofruar mundësi unike për t’u inkorporuar në botën mediale.