Së shpejti edhe një mundësi për studime të doktoratës në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë në Bullgari
30/04/2021UBT së shpejti do ta ketë edhe një dritare më shumë për ata që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, në nivelin e doktoratës, në një prej instituteve prestigjioze bullgare.
Bashkëpunimi shkencor në shumë fusha të sigurisë, veçanërisht në studimet postdiplomike, ishte thelbi i takimit të frytshëm e premtues në Bullgari në mes të rektorit të UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi dhe drejtorit të Institutit të Mbrojtjes “Prof. Tsvetan Lazarov”, kolonel dr. Dimitar Kirkov.
Rektori Hajrizi dhe delegacioni i lartë i Institutit i kryesuar nga koloneli Kirkov, diskutuan mundësitë e arritjes së shpejtë të marëveshjes që do t’u mundësojë të gjithë atyre që duan të avancojnë karrierën e tyre akademike në nivelin e doktoratës në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë që këtë ta bëjnë përmes UBT-së në këtë institucion kredibil e prestigjioz.
Në këtë takim, ka pasur një bashkëbisedim të avancuar për bashkëpunimin në të ardhmen mes UBT-së dhe Institutit të Mbrojtjes “Prof. Tsvetan Lazarov”, në fushën e kërkimit shkencor, shkëmbimit të shkencëtarëve të rinj, pjesëmarrjen në projekte të përbashkëta etj.
Bashkëpunimi do të nis me ftesën që i është bërë UBT-së për pjesëmarrjen në një konferencë shkencore që do të mbahet pas pak javësh në Sofje.
Instituti i Mbrojtjes ‘Prof. Tsvetan Lazarov’ është një institut me karakter shkencor me ekspertizë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Ky institut është organ që funksionon në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes, përkrahet nga strukturat shkencore në kuadër të NATO-s, BE-së dhe bashkëpunon me mbi 100 institucione të ndryshme shkencore në Bullgari dhe jashtë.
Instituti ofron programe të karakterit mësimor-shkencor për fitim të titujve “Doktor” dhe “Doktor i Shkencave” në nëntë fusha: Dinamika, balistika dhe kontrolli i fluturimit të aeroplanëve; radiolokimi dhe radio-navigimi; pajisjet radio-transmetuese dhe radio-pranuese; sistemet e automatizuara të procesimit dhe kontrollit të informacionit; pajisjet dhe metodat optike laserike; dizajnimi dhe projektimi i automjeteve dhe aeroplanëve; metodat për kontrollin dhe testimin e materialeve, pajisjeve dhe makinerisë; teknologjia kimike në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes dhe teknologjia e informacionit dhe siguria kibernetike.
Që nga viti 2009, në Institutin e Mbrojtjes është e vendosur edhe Akademia CISCO për trajnim të personelit ushtarak dhe civil për sisteme të Ministrisë së Mbrojtjes në teknologji të lartë të informacionit.
Ekspertiza tjetër e Institutit është certifikimi i kualitetit të sistemeve dhe produkteve që kanë të bëjnë me fushën e mbrojtjes, regjistrimi dhe certifikimi i mjeteve dhe pajisjeve ushtarake dhe atyre policore. Instituti ka tri laboratore të akredituara nga Agjensioni Kombëtar i Bullgarisë i Shërbimeve të Akreditimit.