Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani, ligjëroi për studentët e UBT-së

25/03/2021

Në Kampusin Inovativ të UBT-së, në Lipjan, është mbajtur ligjërata me temë: “Auditimi i jashtëm në Kosovë, të arriturat, sfidat dhe ndikimi i auditimit për menaxhim më të mirë të financave publike”, organizuar nga UBT dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit.

 

Në këtë ligjëratë, Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani, ka diskutuar me studentët dhe stafin e UBT-së për çështjet e auditimit, objektivat strategjike, politikat sektoriale ekonomike, si dhe për organizimin e brendshëm të këtij institucioni.

 

Ai ndau me pjesëmarrësit përvojën e tij pesëvjeçare që ka në këtë institucion dhe tregoi gjerësisht për politikat dhe menaxhimin e stafit, si dhe standardet ndërkombëtare të auditimit.

 

Rektori i UBT-së, z. Edmond Hajrizi, ka vlerësuar se ZKA-ja vazhdon të jetë shembull i mirë për institucionet e tjera si në aspektin profesional, ashtu edhe në atë funksional dhe të pavarur. Rektori Hajrizi ka përgëzuar Auditorin e Përgjithshëm edhe për arritjet në nivel ndërkombëtar me anëtarësimin në dy organizatat më të rëndësishme të auditimit: INTOSAI dhe EUROSAI, duke thënë se kjo tregon për nivelin e lartë të standardeve profesionale dhe pavarësisë së institucionit.

 

Stafi dhe studentët e UBT-së zhvilluan një interaktivitet të frytshëm me Auditorin e Përgjithshëm të Kosovës, Besnik Osmanin, duke diskutuar më shumë rreth rolit që ka kodi i etikës në auditimin e brendshëm, rëndësinë e edukimit rreth auditimit, si dhe modeleve të organizimit të auditimit.