Studenti i Shkencave të Ushqimit dhe Bioteknologjisë në UBT angazhohet në kompaninë Limagrain në Gjermani

19/03/2021

Marrëveshjet që UBT ka me universitete e kompani prestigjioze jashtë vendit, që ndërlidhen me fushën që studentët e UBT-së studiojnë, ka bërë që studenti i Fakultetit Shkencat e Ushqimit dhe Bioteknologji, Jasin Kadrija, të nis punën praktike në kompaninë Limagrain në Gjermani.

 

Ai është angazhuar në këtë kompani për të shkëmbyer përvoja e për të përfituar njohuri të reja praktike mbi fushën që ai ka studiuar viteve të fundit. E këto përvoja padyshim që studenti Jasin Kadrija do t’i sjellë në Kosovë e do t’i ndajë me studentë e profesionistë të fushës së Shkencave të Ushqimit dhe Bioteknologjisë.

 

Sipas tij, UBT i ka ofruar një mjedis të përshtatshëm për studime në mënyrë profesionale, e në veçanti në drejtimin Shkencat e Ushqimit dhe Bioteknologji, me infrastrukturë moderne dhe laboratorë të sofistikuar.

 

“UBT na ka ofruar një mjedis i cili është i përshtatshëm për studime në mënyrë profesionale. Në drejtimin shkencat e ushqimit, kemi pasur mundësinë të vizitojmë shumë fabrika, reparte prodhuese, e të bëjmë eksperimente të ndryshme. Kjo na ka mundësuar që t’i përcjellim nga afër të gjitha proceset që më parë i kemi mësuar, dhe tani mundësia e punës praktike jashtë vendit, është një eksperiencë shtesë për të zgjeruar edhe më shumë diapazonin tonë të dijes”, ka thënë Jasin Kadrija, student i Fakultetit Shkencat e Ushqimit dhe Bioteknologji në UBT.

 

Në kompaninë Limagrain, ai bashkë me disa studentë të tjerë që janë përfitues të kësaj mundësie për punë praktike, do të përfitojnë shumë njohuri në degën e bioteknologjisë dhe studimit të farave, e që do iu kontribuojnë në të ardhmen për eksperiencat e reja të tyre dhe ndërtimin e një karriere sa më profesionale.