Në ditën e fundit të akademisë së Mekatronikës, diskutohet për aplikimin e mekatronikës në mjekësi dhe në monitorim të ambientit

20/07/2020

Fakulteti i Mekatronikës në UBT, ka përmbyllur suksesshëm punimet në kuadër të Global UBT Fest 2020, me ç ‘rast ligjëruan dhe ndanë përvojat e tyre profesorë vendorë e ndërkombëtarë.

 

Në ditën përmbyllëse të akademisë, ka ligjëruar profesori Zhilbert Tafa, i cili e trajtoi temën: “Aplikimi i Mekatronikës në Medicinë dhe në Monitorimin e Ambientit”. Përgjatë ligjëratës profesori Tafa për pjesëmarrësit prezantoi konceptin e IoT-së, ose i njohur ndryshe si “Interneti i gjërave” me pjesët përbërëse të tij.

 

Ai ka shtjelluar në detaje diagramin e këtij sistemi, nyjet senzorike, pjesët përbërëse te nyjës senzorike, si komunikon ajo me sistemin, si ndikon komunikimi në menaxhim të energjisë si dhe mbulueshmërinë dhe shpenzimin e energjisë së sensorëve. Ndërkaq, Tafa prezantimin e pasuroi duke i trajtuar punimet e tij shkencore ku tregoi rreth një sistemi të bazuar në IoT e fokusuar në fushën e mjekësisë dhe që mundëson komunikim në kohë reale nga përdoruesi (pacienti) e deri tek doktori.

 

Në fund u diskutua edhe aplikimi i mekatronikës në matjen e të dhënave mjedisore, ku u trajtuan metoda për monitorimin e ujit, ajrit dhe tokës si dhe për modulet që mund të krijohen në laboratorë me një kosto shumë të ulët për të kryer studime të tilla.