Shkencat Kompjuterike dhe Inxhinieri, vazhdojnë akademinë verore duke mbajtur ushtrime në kurset HTML dhe CSS
17/07/2020Programi për Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri ka vazhduar me ditën e tretë të akademisë ndërkombëtare verore, që po mbahet në kuadër të “Global UBT FEST 2020”. Asistenti, Arbër Kadriu, ka mbajtur ushtrime me studentët dhe pjesëmarrësit e tjerë, në kurset HTML dhe CSS. Në këtë sesion, janë diskutuar dhe trajtuar konceptet bazike, bashkëkohore, të cilat ndihmojnë në strukturimin më efikas dhe të qëndrueshëm të një ueb faqeje. Përdorimi i duhur i tagjeve (tags), atributeve të tyre dhe lundrimi nëpër komandat që i mundëson CSS, ka qenë prioritet i ditës së tretë, në këto ushtrime.
HTML me anë të CSS, ka qenë një aktivitet tjetër i cili është realizuar me sukses, duke i dhënë drejtim të duhur për t’u zhvilluar më tutje konceptet më të avancuara te stilizimit, me anë të CSS, e që gjithashtu ju nevojiten studentëve për realizimin e projektit të tyre në këto sesione.
Kurse, profesori Muhamet Sherifi, ka mbajtur ligjëratë me temën Modern Web Development with Laravel. Studentët u njoftuan se si mund të krijojnë aplikacione më të avancuara me framework të PHP “Laravel”, ku fillimisht mësuam për metodologjitë si MVC, Routing, e metodologji të tjera. Ata në detaje panë se si duhet instaluar fillimisht framework-u i Laravelit e deri tek pjesa si ta përdorin për menaxhimin e të dhënave.
Studentët ditëve të ardhshme, do të kenë projekte grupore të cilat do t’i zhvillojnë dhe prezantojnë gjatë akademisë verore.