Ambasadori Kryeziu takoi studentët e UBT-së që përfunduan studimet me bursa në Portugali
23/06/2020Ambasadori i Kosovës në Portugali, Ylber Kryeziu ka pritur në takim studentët e UBT-së që ishin përfitues të bursës për vazhdim të studimeve në Universitetin “Nova de Lisboa”, në Portugali.
Studentët e UBT-së, Emin Emini, Egzon Hasi, Lumbardh Elshani dhe Behar Haxhismajli, si dhe studentë të tjerë, ishin pjesë e universitete prestigjioze në Portugali, ku tashmë po kthehen në Kosovë me njohuri dhe përvoja të reja.
Ambasadori Kryeziu, përmes një postimi në facebook, falënderoi studentët e UBT-së që përfaqësuan imazhin e Kosovës, teksa theksoi se ata përfunduan studimet me nota të larta.
“Pasi kryen studimet me nota të larta dhe përfaqësuan imazhin e vërtetë të Kosovës në universitete elitare në Portugali, një grup i dytë me studentë po riatdhesohet sot në Kosovë. Suksese djema, rrugë të mbarë dhe faleminderit për miqësinë! #meStudentët”, ka shkruar ambasadori Kryeziu.
UBT vazhdon të jetë institucioni i parë i arsimit të lartë në Kosovë për nga numri i partneriteteve ndërkombëtare. Institucioni numëron mbi 450 marrëveshje bashkëpunimi me universitete prestigjioze dhe institucione ndërkombëtare, përmes të cilave studentët e UBT-së përjetojnë ndjenjën e të qenit pjesë e universiteteve më të njohura botërore, karshi studentëve nga e tërë bota.