Të qëndrojmë së bashku – Universities never sleep
15/03/2020Të nderuar studentë, staf dhe miq të UBT-së,
Po ua shkruaj këtë mesazh nga banesa ime, duke respektuar rregullat dhe duke bërë pjesën time në shoqëri për parandalimin e përhapjes së mëtejshme të virusit që është shfaqur këto kohë.
Siç e dini, për shkak të pandemisë botërore të shkaktuar nga Coronavirusi (COVID – 19) dhe me qëllim të masave parandaluese që të zvogëlojmë mundësinë e përhapjes së virusit në vendin tonë, me anë të reduktimit të kontakteve të shpeshta dhe të afërta me sipërfaqet e njerëzit e infektuar, jemi të detyruar të qëndrojmë jashtë amfiteatrove, laboratorëve, klinikave, studiove dhe ta reduktojmë prezencën në zyrat tona.
Natyrisht se prioriteti ynë kryesor është që studentët e stafi ynë të jenë të shëndoshë e ta përballojnë sa më lehtë këtë situatë. Mirëpo, të jemi vitalë nënkupton edhe të jemi aktivë, të mos pasivizohemi dhe të mos e humbim kohën e çmuar të jetës duke pritur.
Ne e dimë se edukimi asnjëherë nuk ndalet, se ‘universities never sleep’, edhe në kohët më të vështira, edhe në kohë luftërash e edhe në këtë kohë. Çdo pasivitet në edukim është humbja më e madhe që i shkaktohet një individi dhe një kombi.
Për këtë qëllim, stafi i UBT-së ka dizajnuar një sistem të integruar për të ndihmuar studentët dhe stafin që të jenë aktivë, të veprojnë edhe në kohë krize dhe të qëndrojnë së bashku përmes teknologjisë së internetit, online dhe në mënyrë virtuale, nga secili vend dhe në secilën kohë. Stafi i UBT-së po punon gjatë gjithë kohës që kjo platformë të jetë sa më e lehtë dhe më e mirë për përdorim nga JU.
Platforma e integruar online në UBT do të mundësoje që:
- të eliminojmë kontaktet direke fizike të stafit dhe studentëve, me çka kontribuohet në zvogëlimin e riskut për bartjen e virusit;
- të ndihmojmë studentët që të arsimohen, duke mos humbur asnjë ditë nga jeta e tyre e çmuar dhe që t’u njihet e drejta e tyre për edukim dhe informim;
- të ndihmojmë stafin të zhvillojnë planet dhe punët e veta dhe të Institucionit, përmes videokonferencave dhe telekomunikimit, pa pasur nevojë të jenë në kontakt fizik me njëri-tjetrin;
- të ndihmojmë qytetarët e Kosovës me informacione të sakta dhe të nevojshme për një menaxhim sa më të lehtë dhe të suksesshëm të krizës;
- të ndihmojmë njëri-tjetrin në çfarëdo forme dhe për çkado që kemi nevojë. Kur ne jemi të lidhur në internet, së bashku mund ta ndihmojmë njëri-tjetrin.
UBT është e gatshme të vendosë platformat e veta në përdorim edhe për studentët e stafin e Universiteteve të tjera, por edhe për shkollat tona fillore dhe të mesme, nëse Qeveria e Kosovës e sheh këtë të udhës, sepse të gjithë duhet të kenë qasje në teknologjitë edukative ndihmëse dhe të gjithë kanë të drejtë për edukim të vazhdueshëm edhe në situata të tilla.
Ju lus të bashkëpunojmë, duke shprehur ide dhe mënyra se si mund të ndihmojmë dhe të veprojmë optimalisht në këto rrethana.
Të qëndrojmë së bashku!
Ta përdorim teknologjinë për të mirën tonë!
Ju lus të keni kujdes për shëndetin tuaj dhe të të afërmve tuaj.
Ju falënderoj shumë për kohën që morët për të lexuar këtë mesazh.
Na priftë e mbara!
Me respekt,
Edmond Hajrizi, Prof. Dr.
Themelues dhe Rektor i UBT-së