Në UBT u mbajt konferenca për performancën dhe efiçiencën e energjisë
24/02/2020Në Kampusin Inovativ të UBT-së, në Lipjan, është mbajtur konferenca me temë: “EPS Energy Performance Contracting & ESCO within European Context of Energy Efficiency”, ku mblodhi ekspertë të shumtë, profesorë, studentë dhe përfaqësues të organizatave që merren me këtë fushë.
Në këtë konferencë u diskutua për organizimin e financimit të efikasitetit të energjisë, ndërkaq u fol për EPS që përfshinë një kompani të shërbimit të energjisë, ESCO që ofron shërbime të ndryshme, siç janë financat dhe kursimet e garantuara të energjisë.
Hapjen e konferencës e bëri rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi, i cili tha se Kosova dhe rajoni më shumë se kurrë ka nevojë për profesionistë në fushën e energjisë.
Rektori Hajrizi theksoi se institucioni që ai drejton është i vetmi që ka të akredituar programet për Energji Efiçiente dhe për Energjia Elektrike dhe Tregjet e Energjisë.
“UBT ka të akredituara programe dhe po nxjerr kuadro të cilët janë në gjendje të menaxhojnë tregjet e reja të energjisë në përputhje me nevojat shoqërore të këtij profili. Studentët në këtë institucion përfitojnë edukim cilësor në këtë fushë, po këta studentë kanë perspektivë në tregun e punës. Ne po punojmë që kampusin e ri ta ndërtojmë me energji të efiçiente, tashmë kemi marrë edhe platformën 5G, ku bashkë me këtë do të krijojmë edhe sistemin SMART, pra ky është roli i UBT-së dhe po punojmë shumë në këtë drejtim”, theksoi rektori Hajrizi.
Maliq Pireci nga Organizata për bashkëpunim ndërkombëtar “GIZ”, tha se kjo organizatë përkrahë sektorin e energjisë në Kosovë, me fokus në energjinë ripërtëritshme dhe energjinë efiçiente dhe do të vazhdojë edhe në të ardhmen të përkrah këtë sektor.
“GIZ ka përkrahur politikën e re që fokusohet në nivel të Qeverisë së Kosovës për krijimin e rregullativave dhe ligjit për implementimin e energjisë efiçiente dhe efiçiencën e energjisë, projekt që e mbështetin edhe organizata tjera”, tha ai.
Drejtori i shoqatës belge “ESCO”, Lieven Vanstraelen, tha se duhet të stimulohet bashkëpunimi publik-privat, ndërkaë ESCO duhet të përdoret si mjet për financim në këtë sektor.
“Kontraktimi i performancës së energjisë (EPC) është një mekanizëm për organizimin e financimit të efikasitetit të energjisë. EPC përfshin një kompani të Shërbimit të Energjisë (ESCO) e cila ofron shërbime të ndryshme, siç janë financat dhe kursimet e garantuara të energjisë. Shpërblimi i ESCO varet nga arritja e kursimeve të garantuara. ESCO mbetet e përfshirë në procesin e matjes dhe verifikimit të kursimit të energjisë në periudhën e ripagimit”, tregoi ai.
Ndërkaq, zëvendës i Kryeshefit Ekzekutiv të KOSTT-it, Kadri Kadriu potencoi se efiçienca e energjisë është prioritet i kësaj kompanie, njëherësh tha se është obligim sipas ligjeve ekzistuese dhe secila kompani duhet ta aplikojë aty ku është e mundur.
“Në bazë të ligjit, 0.7 buxhetit e kanë për obligim kompanitë të investojnë. Gjatë zhvillimit të projekteve kemi implementimin e përmasës për efiçiencën e energjisë, pra kemi një program për të parë praktikisht në baza ditore sa energji prodhohet dhe benifitet. Kompania jonë është promotor energjinë efiçiente dhe ideja jonë është që të implementohet aty ku ka mundësi”, tha ai.
Tutje, Arben Gjukaj nga KEK-u, bëri të ditur se janë ndërmarrë hapa në këtë drejtim, por tha se ka pengesa ngaqë mungon ligji i prokurimit.
“Projekti për Kosovën A ka të bëj me rritjen e efiçiencës, pra t’i shndërrojmë këto njësi burim miqësor ndaj ambientin dhe rezervar për burime e rinovueshme”, theksoi ai.
Menaxheri i Energjisë në Departamentin e Energjisë në Bruksel, Ibrahim Hajdari, EPS është i detyrueshëm për industrisë dhe ndërtesat e banimit në pothuajse gjitha shtetet në zhvillim, gjë që duhet ta bëjë edhe Kosova.
“EPC Belgjike-Wallonia mund të integrohet në mënyrë të përkryer në legjislacionin e energjisë të Kosovës. Duke filluar nga momenti kur leja e planifikimit paraqitet, treguesit e EPB do të përfshihen në projektet e reja të ndërtimit. Për ndërtesat ekzistuese, ekrani EPC duhet të jetë i detyrueshëm për ndërtesat publike në mënyrë që të japë një shembull për industritë dhe ndërtesat e banimit që të ndjekin këtë shembull. Kjo do të ishte një mënyrë shumë e vlerësuar për të përgatitur në rastin më të mirë të Kosovës për të zvogëluar emetimet e gazrave serë dhe për të përmirësuar performancën energjetike të banesave, industrive dhe ndërtesave publike në vendin më të ri të Evropës”, deklaroi ai.
Kosova tashmë ka një projekt që përkrahet nga Banka Botërore për efiçiencë të energjisë dhe energji të ripertritshme, që ka për qëllim zvogëlimin e konsumit të energjisë dhe karburanteve fosile në ndërtesa publike, përmes investimeve në efiçiencë të energjisë dhe energji të ripërtëritshme.