UBT nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Komunën e Mitrovicës dhe UN-Habitat

16/10/2019

Rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi zyrtarisht është pritur në takim nga nënkryetari i Komunës së Mitrovicës Jugore, Faruk Mujka, si dhe përfaqësuesja e UN-Habitat, Gwendoline Mennetrier, me ç’rast kanë nënshkruar edhe një marrëveshje bashkëpunimi trepalëshe.

 

Qëllimi i këtij bashkëpunimi është hartimi i projekteve për planifikim urban të lagjeve të qytetit të Mitrovicës, njëherësh implementimi i projektit apo punëtorisë për dizajn dhe zhvillim urban.

 

Përmes këtij projekti, punëtoria e dizajnit dhe zhvillimit urban për planifikim do të mbledhë 25 studentë, të cilët kanë përgatitje akademike përfshirë në fushat: arkitekturë, planifikim urban, mjedis, sociologji dhe ekonomi, ku në bashkëpunim me grupin punues bazë të projektit dhe komunitetet e lagjeve do të mblidhen për të ndarë përvojat, idetë, si dhe për të dhënë ekspertiza profesionale në këtë drejtim.

 

Bashkëpunimi mes UBT-së, Mitrovicës dhe UN-Habitatit, veç tjerash do t’ju mundësojë studentëve përfitimin e përvojave profesionale në zgjidhjen e problemeve të tilla të komunitetit.

 

UBT, Komuna e Mitrovicës dhe UN-Habitat, gjithashtu u pajtuan që bashkërisht të ndërtojnë kapacitete institucionale dhe zhvillimore, teksa muajt në vazhdim do të hartojnë projekte dhe programe të caktuara si pjesë e rëndësishme e marrëveshjes së bashkëpunimit.