Kosova, edhe sivjet pjesë e garës më të madhe ndërkombëtare të robotikës, FIRST Global Challenge
06/09/2019Sikurse edhe viteve të kaluara, UBT ka nderin që edhe sivjet të përfaqësojë Kosovën në garën më të madhe ndërkombëtare në fushën e robotikës, FIRST Global Challenge, që do të mbahet në Emiratet e Bashkuara Arabe, konkretisht në Dubai më 24-27 tetor.
Kosovën do ta përfaqësojnë nxënësit e shkollave të mesme, Elita Hajrizi, Raesa Nikshiqi, Ardi Loxha dhe Albana Hajdini, të cilët tash e disa muaj janë përgatitur dhe kanë punuar në laboratorët inovativë të mekatronikës në UBT.
Ata, nën mbikëqyrjen e stafit akademik të UBT-së, janë duke e ndërtuar robotin inovativ që do të jetë pjesë e garës në FIRST Global.
Ekipi përfaqësues i shtetit të Kosovës do ta sfidojë vetën në mesin e të rinjve nga rreth 170 shtete të ndryshme të botës.
Ata do të sfidohen me njëri-tjetrin për nga dizajnimi dhe programimi i robotit, idetë dhe kreativiteti në fushën teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës.
FIRST Global zhvillon gara me profile të larta robotike ndërkombëtare, të dizajnuara për zgjidhjen e sfidave kryesore globale me pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës.
Në këtë garë, falë UBT-së, edhe Kosova do të përfaqësohet nga të rinjtë që janë të frymëzuar për të zgjidhur sfidat globale të kësaj natyre.
Në fund të garës, FIRST Global Challenge do të ndajë çmime të ndryshme për fituesit, si dhe do të ndahen edhe medalje të arta, të argjendta dhe të bronzta, teksa materialet e ekipeve fituese do të shfaqen nëpër mediat amerikane dhe botërore.
Sfida e garës së sivjetme në FIRST Global Challenge do të jetë mbrojtja e oqeaneve.