Ish-studenti Gramos Kamberi do të studiojë në SHBA si bursist i programit “Fulbright”
18/06/2019Ish-studenti i UBT-së në Fakultetin e Shkencave kompjuterike dhe Inxhinierisë, Gramos Kamberi, pas përfundimit të studimeve dhe punësimit, i vendosi vetes një qëllim edhe më të lartë.
Ai aplikoi për të qenë një ndër fituesit potencialë të bursës “Fulbright”, që financohet nga qeveria amerikane dhe institucionet arsimore atje.
Falë procesit të suksesshëm të aplikimit, Gramosi i kaloi me sukses të plotë të gjitha fazat e aplikimit, me çka automatikisht e ka fituar të drejtën që së shpejti t’i fillojë studimet e nivelit master në SHBA.
“Aplikimi online përfshinë esetë për deklarata personale dhe atë të objektivave të studimit në SHBA, letrat referuese, CV-në dhe detaje tjera të nevojshme. Pasi që kam përfunduar aplikimin, pas disa javësh kam pranuar ftesën për intervistë nga komisioni i posaçëm për Fulbright në Ambasadën Amerikane, ku pastaj kam pranuar lajmin se jam pranuar si bursist”, tregoi ai.
Gramosi vlerësoi se tek UBT ka gjetur gjithmonë mbështetje për të arritur objektivat e tij, prandaj thotë se gjatë studimeve themelore ka krijuar një bazë të fortë akademike dhe profesionale.
“Kurrikula shumë e pasur e SHKI-së dhe gatishmëria për të ofruar ndihmë për secilin student nga profesorët dhe asistentët, padyshim qe kanë qenë dhe është shumë frytdhënëse edhe sot. Gjithashtu, shumë e rëndësishme për t’u cekur është edhe fleksibiliteti që UBT ofron për të gjithë ata që janë në marrëdhënie pune. Personalisht sa kam qenë duke ndjekur vitin e dytë, unë paralelisht kam qenë duke punuar dhe studiuar”, potencoi ai.
Gramosi ka vendosur që nga mundësitë e shumta për vijim të studimeve në SHBA, ka zgjedhur Polytechnic Institute – WPI, me degën e studimit Teknologji Informative, pasi pret që në këtë degë t’i gjejë të integruara lëndët më bashkëkohore të teknologjisë informative dhe asaj biznesore.