UBT certifikohet dhe vlerësohet me Çmimin e Ekselencës me Pesë Yje
13/06/2019Edhe një vlerësim kulmor për Republikën e Kosovës. Si një dhuratë për 20-vjetorin e çlirimit. I ardhur, si gjithnjë nga UBT, që me dhjetëra herë e ka ngritur emrin e shtetit tonë në nivelet më të larta të edukimit, shkencës, inovacionit, ekselencës.
Këtyre ditëve, Këshilli i Ekselencës botërore, konkretisht Organizata e njohur për Menaxhimin e Cilësisë (EFQM), konfirmoi atë që tashmë dihet – UBT certifikohet dhe vlerësohet me Çmimin e Ekselencës me Pesë Yje.
Me këtë vlerësim, që është vazhdimësi e vlerësimit të mëhershëm, fituar në vitin 2014, të nivelit organizativ të ekselencës, UBT hyn në mesin e shumë universiteteve prestigjioze nga e mbarë bota që vlerësohen ekselentë në arsimin e lartë.
Rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi theksoi se EFQM e vlerësoi UBT-në për politikat e prezantuara nga institucioni, zhvillimin e aftësive dhe për menaxhimin që, sipas ekipit vlerësues, i kalon kufijtë organizativë.
Tutje, rektori Hajrizi tha se raporti i kësaj organizate konstaton se, përveç numrit të madh të programeve inovative që institucioni numëron, UBT ka rol të jashtëzakonshëm për komunitetin, industrinë, etj.
“Kontributi i UBT-së në Republikën e Kosovës demonstrohet në mënyra të shumta dhe qeveria lokale dhe qendrore i drejtohen UBT-së për mbështetje dhe ekspertizë. UBT tejkalon shumë atë që pritet prej tyre në këtë fushë, për shembull, objektivat e rekrutimit përmbushen dhe tejkalohen vazhdimisht. Kur Ekipi i Vlerësuesve pyeti se pse rekrutimi i tejkaloi kërkesat, përgjigja ishte se, duke pasur këto persona shtesë, UBT po përparon në mënyrë aktive”, thekson Hajrizi.
Ndërsa eksperti i ekselencës, Andre Haynes, i cili e vlerësoi UBT-në përgjatë tërë procesit të marrjes së ekselencës, e konsideroi UBT-në si prijës dhe model menaxhimi që duhet ndjekur nga të gjitha institucionet tjera arsimore në Evropë.
“Unë mendoj që UBT është një institucion shumë i këndshëm, mënyra e të mësuarit, mënyra se si profesorët sillen dhe stafi mbështetës, është absolutisht e shkëlqyeshme”, theksoi Haynes, duke përcjellë përshtypjet e tij, pas disa vizitave dhe njohjes me punën e UBT-së.
Ai është shprehur i kënaqur me angazhimin e UBT-së për plotësimin e kritereve të ekselencës.
“UBT është një organizatë shumë impresionuese në të gjitha mënyrat. Çdo organizatë që aplikon për çmim të ekselencës nga EFQM duhet të shikojë modelin e ekselencës dhe duhet të përputhet në të shkruar dhe në të folur me atë që ndodhet në atë model, e UBT ka bërë përpjekje shumë të mira që ta bëjë këtë. Nuk do t’i merrte pesë yje dhe 500+ pikë po të mos tregohej efektiv në kryerjen e kësaj përgjegjësie”, tha Haynes.
Qindra universitete, kolegje e institucione të ndryshme në mbarë botën konkurrojnë në vazhdimësi për ta marrë Çmimin e Ekselencës, por të rralla janë ato që kalojnë pragun e 500 pikëve.
Haynes shpjegon: “Shumë kompani të të gjitha llojeve, tash ndoshta mijëra përreth Evropës, janë duke e shfrytëzuar këtë kornizë për të kuptuar se çfarë janë duke bërë dhe për të menduar rreth përmirësimeve. Më pak se kaq, me gjasë qindra, kanë aplikuar për çmime të ekselencës, dhe prej tyre, ndoshta më së shumti vetëm 1/3 kanë shkuar mbi 400 pikë. Arritja e 500 pikëve, që është pragu i të aplikuarit për çmime të ekselencës në Evropë, tash edhe në mbarë globin, është arritje e madhe dhe UBT e ka arritur”.
Për Haynes, UBT është një prijës.
“Nuk njoh organizatë në Ballkanin Perëndimor që e shfrytëzon modelin e ekselencës në mënyrën e njëjtë, dhe mendoj që është pjesë e lidhjeve ndërkombëtare me organizatat tjera në Evropë. është bërë pak punë në Slloveni, por jo në arsim. Ka filluar të bëhet pak punë në Rumani, por përsëri, jo në sektorin e arsimit, prandaj vërtetë UBT është prijës”, thekson eksperti i ekselencës, Andre Haynes.
Gjithashtu, UBT është vlerësuar me çmime të shumta dhe është certifikuar edhe me ISO standarde.