Përmes Erasmus+, UBT ka ngritur laboratorin më modern multimedial në Kosovë
20/05/2019Laboratori medial i UBT-së është pasuruar me dhjetëra pajisje multimediale të teknologjisë së fundit, të cilat kanë arritur si rezultat i projektit DMTV (Zhvillimi dhe Implementimi i Multimedias dhe Televizionit Digjital) , të mbështetur dhe financuar nga programi Erasmus+, si i pari i këtij lloji i ngritur në Kosovë.
Laboratori është pasuruar me pajisjet më të sofistikuara në fushën e mediave, të cilat do të përdoren nga stafi dhe studentët, për organizim të ligjëratave dhe ushtrimeve me mjetet më moderne për t’i realizuar projektet e tyre.
Laboratori multimedial u siguron studentëve kushtet optimale për realizim të të gjitha projekteve brenda vetë institucionit, dhe atë, në mënyrën më profesionale të mundshme.
Stafi mësimdhënës i UBT-së ka vizituar universitetet më prestigjioze, ku janë trajnuar në përdorimin e të gjitha pajisjeve moderne, që në mënyrë direkte do të transmetohen edhe tek studentët, të cilët do të përgatiten për të punuar me pajisjet më të sofistikuara që momentalisht gjenden në tregun medial.