Udhëheqësit e Skenderajt dhe arkitektët vendorë, të impresionuar me projekt-propozimet urbanistike të studentëve të UBT-së
08/05/2019Studentët e vitit të tretë të Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikim Hapësinor kanë prezantuar projektet e tyre ideore urbanistike për Komunën e Skenderajt, të cilat kanë qenë punë e një semestri të tërë, e kryer nën mentorimin e ligjëruesit në UBT, dr. Binak Beqaj dhe asistentit, Modest Gashi.
Konceptet dhe idetë e studentëve për një zonë urbane të caktuar nga komuna, i dëgjuan kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, përfaqësues të Drejtorisë së Urbanizmit nga kjo komunë, si dhe ekspertë dhe arkitektë vendorë, të cilët e vlerësuan lartë punën e kryer nga studentët.
Studentët e Arkitekturës, të ndarë në pesë grupe, përgatitën pesë projekt-propozime urbanistike, të cilat, sipas arkitektëve të pranishëm që e vlerësuan punën e studentëve, i kanë tejkaluar pritshmëritë e tyre me nivelin e lartë të realizimit profesional dhe guximin për të sjellë ndryshime.
Kryetari i Komunës së Skenderajt, duke i përgëzuar studentët për kreativitetin dhe angazhimin për ta bërë Skenderajn një qytet më të kompletuar në aspektin urban, tha se do të bëjë të pamundurën që këto projekte t’i jetësojë.
Profesori i lëndës “Planifikimi Urban”, dr. Binak Beqaj tregoi se e gjithë puna e studentëve është bërë në baza vullnetare, teksa, sipas tij, puna e tillë është tejet e rëndësishme pasi që paraqet simbolikën e ndërlidhjes ndërmjet akademisë dhe institucioneve.
Studentët e Arkitekturës në UBT, tash e disa vite janë duke realizuar projekt-propozime për komuna të ndryshme të Kosovës dhe shumë prej tyre edhe janë realizuar.