Rektori dhe studentët e UBT-së, pjesë e Javës Ndërkombëtare të Universitetit të Ekonomisë, në Poloni
08/05/2019Rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi dhe studentët, Albnor Leku, Harisa Hoxha dhe Fatbardh Retkoceri, po marrin pjesë në Javën Ndërkombëtare të organizuar nga Universiteti i Ekonomisë, në Katowice të Polonisë, ku në edicionin e sivjetmë është trajtuar tema “Menaxhimi i komunikimit në internet”.
Rektori Hajrizi është ftuar në cilësinë e ligjëruesit, me ç’rast për qindra ekspertë dhe studentë nga shtete të ndryshme, trajtoi temën “Siguria e Mjediseve të Mençura”, si çështje që zgjoi interesim të madh, nisur nga fakti se mjediset e mençura dhe siguria e tyre janë e ardhmja në nivel shtetëror e global.
Qëllimi i kësaj jave shkencore është intensifikimi i bashkëpunimit ndërkombëtar me partnerë në fushat e mësimdhënies, studimeve dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, në përgjithësi.
Përpos ndjekjes së ligjëratave, studentët e UBT-së, së bashku me studentët e tjerë, po marrin pjesë në seminarin shkencor “Teknologjia e mençur dhe Hulumtimi i mençur”.
Prania e UBT-së në Javën Ndërkombëtare e Universitetit të Ekonomisë është rezultat i partneritetit të ngushtë të UBT-së me këtë universitet.