Dhjetëra produkte ushqimore ekspozohen e konsumohen në Panairin e Produkteve Ushqimore të UBT-së

03/05/2019

Dhjetëra kompani e udhëheqës të tyre, bashkë me qindra studentë të UBT-së, e pasuruan Panairin e Produkteve Ushqimore të UBT-së, në u ekspozuan produkte ushqimore nga më të ndryshmet.

 

Krahas produkteve të prodhuara nga kompanitë vendore, vlerë e shtuar e këtij panairi ishin edhe ushqimet e përgatitura nga studentët e Fakultetit Shkenca të Ushqimit dhe Bioteknologji, që u pëlqyen jashtëzakonisht shumë nga pjesëmarrësit në panair.

 

Në hapje të ngjarjes, rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi tha se në këtë moment është tejet i rëndësishëm bashkëpunimi i ngushtë dhe i mirëfilltë ndërmjet akademisë dhe industrisë.

“Në çdo shtet të zhvilluar të botës gjërat ecin siç duhet sepse akademia dhe industria punojnë së bashku dhe studentët i shndërrojnë në ekspertë të secilës fushë. UBT është gjithmonë gati që të ndihmojë industrinë dhe kompanitë në secilën fushë që kanë nevojë, e këtë mund ta bëjmë me nivel të lartë të përgjegjësisë dhe kompetencës, gjë për të cilën edhe jemi dëshmuar”, theksoi ai.

 

Ai, bashkë me prodhuesit e shumtë vendorë të produkteve ushqimore, vizituan laboratorët e sofistikuar të UBT-së, ku kryhen të gjitha përgatitjet dhe testimet e cilësisë së produkteve, teksa prodhuesit kosovarë treguan interesim të lartë për bashkëpunim me UBT-në, për zgjidhjen e problemeve me të cilat po përballen aktualisht.

 

Panairi i Produkteve Ushqimore u pasurua falë kompanive vendore që morën pjesë dhe të cilat ekspozuan produktet e tyre, për t’i dhënë shtytje përdorimit dhe përkrahjes së produkteve të vendit.

Kompanitë që morën pjesë ishin: VIPA Chips, Birra Peja, Fluidi, ABI, Gazi-com, Kompania Fitimi, Komnia Fungi dhe KABI.