Eksperti i njohur ndërkombëtarisht, Noriaki Kano vizitoi për herë të parë Kosovën – Zgjodhi UBT-në për të shpjeguar Modelin Kano
27/04/2019Ligjëruesi dhe një ndër konsultentët më të njohur në botë në fushën e menaxhimit cilësor, Noriaki Kano, ka vizituar për herë të parë Kosovën, me ç’rast ka qëndruar në UBT, ku ka mbajtur ligjëratë për stafin dhe studentët e UBT-së.
Modeli i njohur i tij “Kano Model” ishte temë kryesore e ligjëratës së tij, si një praktikë unike e menaxhimit të cilësisë e njohur në mbarë botën për menaxhimin e kënaqshmërisë së klientëve.
Duke treguar mbi mënyrën e aplikimit të këtij modeli në të gjitha sferat e të menaxhuarit, përfshirë këtu edhe menaxhimin e universiteteve, Kano sqaroi se skema e thjeshtë e rangimit të kënaqshmërisë sipas Modelit Kano bën diferencën midis atributeve thelbësore dhe dalluese që lidhen me konceptet e cilësisë së klientit.
Përmes modelit të tij, profesori Kano sfidoi besimet konvencionale se përmirësimi i çdo atributi të produktit të një kompanie mund të çojë në rritjen e kënaqësisë së klientit. Ai beson se jo çdo atribut i performancës mund të rris nivelin e kënaqshmërisë së klientëve, duke e pasur në fokus nivelin e besnikërisë së tyre.
Për rektorin e UBT-së, prof dr Edmond Hajrizi, prania në UBT e një eksperti të njohur në mbarë botën, është e arritur e madhe dhe një përvojë unike që do të mbetet e shkruar në historinë e UBT-së dhe të vendit.
Në shenjë mirënjohjeje për vlerësimin e tij ndaj UBT-së, rektori Hajrizi i dhuroi profesorit Noriaki Kano një dhuratë simbolike me elemente shtetërore të Kosovës.