Në UBT u mbajt simpoziumi i parë në Kosovë për qytetet e mençura

05/04/2019

Çështja e qyteteve të mençura tashmë është bërë një temë globale, por për herë të parë një simpozium me një temë të tillë është organizuar nga UBT.
Pjesëmarrës në këtë organizim ishin profesorë të ndryshëm nga Austria, kryetarë komunash, drejtorë urbanizimi të komunave të ndryshme, si dhe profesorë e studentë të Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor.

Rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi, duke treguar mbi rëndësinë e jetësimit të ideve mbi qytetet e mençura, tha se UBT për këtë qëllim ka themeluar qendrën “UBT Urban Lab”, si qendër për hulumtime urbane.
“Është e rëndësishme që në këtë periudhë të rregullojmë qytetet tona, në mënyrë që të ketë ndikim ne rritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve, prandaj edhe fokusi i qendrës tonë, por edhe këtij simpoziumi janë palët e interesit që kanë ndikim në implementimin e propozimeve dhe zgjidhjeve tona”, vlerësoi ai.

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri theksoi se kjo temë është e rëndësishme dhe e domosdoshme për ndërtimin e qyteteve moderne.
“Vushtrria tani është në fazën e modernizmit dhe sfida jonë themelore është që, në njërën anë të ruajmë atë që është trashëgimi kulturore, kurse në anën tjetër të zhvillojmë qytetin drejt modernizmit, ose të paktën t’i vendosim binarët e modernizmit në të ardhmen”, potencoi Tahiri.

Potencialin e Kosovës për zhvillimin e qyteteve të mençura e përkrahi edhe kryetari i Komunës se Junikut, Agron Kuçi, i cili tha se nisma e tillë e ardhur nga UBT nuk është befasi për të, duke qenë se institucioni gjithmonë ka prirë proceset e tilla inovative.
“Është e domosdoshme që si Kosovë të kyçemi në proceset e reja teknologjike, përfshirë edhe qytetet e mençura. Faktori njeri është i mjaftueshëm dhe po plotësohet me zhvillime te reja, por mendoj që nëse ekziston edhe gatishmëria e institucioneve qeverisëse, do të ishte e arritshme”, konstatoi Kuçi.

Pas fjalimeve hyrëse, simpoziumi ka vazhduar me punëtori, të cilat i ndoqën studentët dhe profesorët e pranishëm, të ndarë në grupe.

Punëtoria “Dizajnimi i qyteteve të mençura dhe menaxhimi i arsimit” u mbajt nga rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi, i cili transformimin e teknologjisë dhe konvergjencën, si funksione që duhet të bashkëveprojnë mes vete për të pasur sukses.

Tema “Planifikimi i Mençur” u mbajt nga ligjëruesi në Universitetin e Vjenës, Thomas Dillinger, i cili krahas njohurive teorike, dha edhe shembull praktik të një komune në qytetin e Austrisë, si model i ndërtimit të një qyteti urban.

Punëtoria “Jetesa e mençur” u mbajt nga eksperti i njohur shqiptar që vepron në Austri, Skender Kosumi, i cili u fokusua në idenë e ngritjes së cilësisë së jetës nëpër qytete, duke u bazuar në teknologji dhe thjeshtësi, si dhe duke siguruar fleksibilitet maksimal në hapësirat e banimit.

Hulumtuesi në IEEE International Forum, Hartmunt Dumke, përmes punëtorisë “Planifikimi i Mençur i Energjisë”, i cili prezantimin e tij e fokusoi në shfrytëzimin dhe planifikimin e mençur të energjisë.

Pas prezantimeve, pjesëmarrësit u ndanë nëpër grupe dhe ndoqën punëtori të veçanta njëorëshe për temat e trajtuara, teksa u bashkuan përsëri për të diskutuar mbi përfundimet, arritjet dhe gjetjet e zgjidhjeve të mundshme për një planifikim dhe ndërtim të qyteteve të mençura në Kosovë, duke marrë si model praktikat e mira ndërkombëtare.