Studentët e gazetarisë vizituan Radiotelevizionin e Kosovës

05/04/2019

Studentët e vitit të parë në Fakultetin e Medias dhe Komunikimit në UBT, vizituan ambientet e punës në RTK, ku u pritën nga redaktori i redaksisë së programeve argëtuese, njëherësh edhe ligjërues në UBT, Xhevdet Sfarça.

Sfarça i informoi studentët rreth historikut dhe sfidave të RTK-së, për kanalet, studiot e realizimit dhe të transmetimit, pajisjet e punës, realizimin teknik, mënyrën e ndarjes së punëve dhe përgjegjësive, sistemin e brendshëm të funksionimit etj., teksa në të njëjtën kohë, patën mundësinë të shohin edhe mënyrën e realizimit drejtpërdrejt të edicionit të lajmeve në RTK.

Duke folur për rëndësinë e vizitave studimore nëpër mediume, ai tha se për studentët e medias dhe komunikimit është shumë e rëndësishme që të bëjnë vizita në mediume. “RTK gjithmon ka qenë e hapur për studentët e UBT-së, për të ofruar përvojë dhë për të ndihmuar gjeneratat e reja në profesionin e përzgjedhur të tyre”, shtoi Sfarça.

Vizitat studimore po realizohen me qëllim të informimit dhe të njoftimit të studentëve në mënyrë të drejtpërdrejtë me kushtet dhe mundësitë që ofron tregu i punës.