Delegacioni i Universitetit “Aleksandër Moisiu” vizitoi UBT-në – Flitet për bashkëpunimin në kuadër të projektit DIMTV
18/03/2019Projekti i Erasmus+, “DIMTV” ka mbledhur në UBT profesorë e studentë nga programi “Multimedia dhe TV Digjital” në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, në Durrës, të cilët qëndruan për dy ditë dhe përgjatë tyre u takuan me udhëheqës e studentë të UBT-së.
Ky takim shërbeu si një platformë për zgjerimin e bashkëpunimit në kuadër të projektit, për ndarjen e praktikave të mira të punës, për mundësinë e shkëmbimeve të studentëve, si dhe për nisjen e projekteve të përbashkëta.
Rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi tha se kjo vizitë është vijimësi e krijimit të raportit të mirë mes UBT-së dhe UAMD-së, duke shtuar se bashkëpunimi vetëm se do të shkojë duke u forcuar.
“Ne si UBT jemi tejet të angazhuar që të krijojmë raport të mirë me institucione me renome botërore, por në veçanti me universitetet në Shqipëri, pasi ndjejmë se kemi obligim ndaj qytetarëve të shteteve tona, në aspektin e përmirësimit të cilësisë së arsimit”, theksoi Hajrizi.
Për të treguar mënyrën e funksionimit dhe të organizimit të punëve brenda UBT-së dhe programeve të studimit, si dhe për funksionimin e mediumeve brenda UBT-së, për përfaqësuesit e UAMD-së folën edhe sekretari i UBT-së, Artan Tahiri, drejtori për Çështje Akademike, prof. dr Muhamet Ahmeti, udhëheqësi i Zyrës së Projekteve, Naim Preniqi, dekani i Fakultetit Media dhe Komunikim, prof. dr Ferid Selimi, ligjëruesit në UBT, prof. dr Gjylie Rexha dhe Jeton Lakna, si dhe menaxherja e Kampusit Inovativ të UBT-së, Mirlinda Jashanica.
Profesori në UAMD, prof. dr Xhafer Rakpillari e vlerësoi mikpritjen e UBT-së dhe tha se bashkëpunimi ndërinstitucional do të jetë më së shumti fitimprurës për studentët.
Delegacioni nga UAMD realizoi vizitë edhe në Kampusin Inovativ të UBT-së, në Lipjan, ku panë infrastrukturën, laboratorët e të gjitha fushave, duke u fokusuar tek ata të teknologjisë informative dhe multimedias, pastaj librarinë dhe hapësirat tjera që shfrytëzohen nga studentët e UBT-së të të gjitha programeve të studimit.