UBT nënshkruan memorandum mirëkuptimi me Universitetin e Stambollit

05/03/2019

Rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi dhe rektori i Universitetit të Stambollit, Mahmut Ak, kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi, me qëllim të fillimit të bashkëpunimit në aktivitete arsimore dhe hulumtuese për përfitim të ndërsjellë të të dy institucioneve.

 

Përmes nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, palët janë pajtuar për organizim  të aktiviteteve të përbashkëta kurrikulare në edukim dhe në të mësuar, të tilla si shkolla verore dhe programe të diplomave.

Rektorët janë pajtuar edhe për shkëmbim të studentëve të doktoratës dhe bashkëmentorim të temave të diplomës, për organizim të aktiviteteve ekstra-kurrikulare në fushën akademike dhe shkencore, të tilla si kurse të certifikuara, konferenca dhe simpoziume, si dhe për realizim të studimeve dhe projekteve të përbashkëta kërkimore, për publikime të përbashkëta akademike dhe shkencore, shkëmbim të studentëve të bachelor-it dhe master-it, shkëmbimi të stafit hulumtues dhe akademik, shkëmbim të dokumenteve dhe publikimeve shkollore e shkencore.

 

UBT ka nënshkruar më shumë se 300 marrëveshje bashkëpunimi me universitete dhe kolegje të njohura ndërkombëtare, me qëllim që prej tyre të përfitojnë studentët e UBT-së, por edhe te universiteteve partnere.