Biblioteka e UBT-së, e pasuruar me 250 mijë libra dhe mbi 52 mijë tituj (Video)

27/02/2019

UBT i ka kushtuar rëndësi të madhe krijimit të një hapësire, e cila i ndihmon stafin dhe studentët që të gjejnë  në një vend të vetëm të gjithë titujt për të cilët kanë nevojë, dhe atë, në bibliotekën brenda Kampusit Inovativ të UBT-së, në Lipjan.

Duke pasur parasysh fushat e larmishme të studimit në UBT, biblioteka fizike është pasuruar me rreth 250 mijë libra të ndryshëm dhe me mbi 52 mijë tituj.

 

Përveç bibliotekave në Prishtinë, Lipjan dhe në Ferizaj, UBT ofron qasje të pakufizuar edhe në bibliotekat elektronike. Deri tani, UBT është e anëtarësuar në tri biblioteka të njohura elektronike, përfshirë EBSCO-n, SAGE Journals dhe J-Store.

 

UBT furnizohet me libra të rinj një herë në vit, ku në secilin vit bibliotekës i shtohen rreth 15 mijë-20 mijë tituj. Gjatë dy viteve të fundit është sjellë pjesa më e madhe e librave, kur edhe janë shtuar shumë tituj të kërkuar nga stafi dhe studentët.

Biblioteka ka edhe ambientin komod për lexim, me një hapësirë prej 240 m², që u mundëson studentëve lexim të qetë.

 

Studentët e institucionit kanë mundësi të pajisen me libra nga të gjitha drejtimet të cilat UBT i ofron, por edhe me enciklopedi dhe fjalorë të ndryshëm.

Shumica e librave në bibliotekën e UBT-së janë në gjuhën shqipe, angleze, një përqindje e vogël në gjuhën gjermane dhe në atë serbe.

 

Vetëm në dy vitet e fundit, UBT ka shtuar deri në 60 mijë tituj të ndryshëm, si dhe ka krijuar qasje të drejtpërdrejtë në e-libra dhe artikuj shkencorë e akademikë.