Në Ditën Ndërkombëtare të Radios, ekspertët diskutojnë për problemet dhe të ardhmen e radios në Kosovë (Video)
13/02/2019Dita Ndërkombëtare e Radios mblodhi në UBT dhjetëra ekspertë dhe gazetarë shumëvjeçarë, të cilët diskutuan mbi historinë, transformimin, sfidat aktuale, si dhe të ardhmen që e pret radion, si një ndër mediumet që më së shumti i ka qëndruar kohës.
Të gjitha këto çështje u diskutuan për nder të kësaj dite në konferencën më titull: “Radio sot dhe nesër në Kosovë”, që u organizua nga Instituti i Mediave të Kosovës dhe UBT.
Në emër të UBT-së, rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi vlerësoi se edhe përkundër transformimit që ka pësuar ndër vite, radio mbetet ende media më e afërt me publikun.
“Radio ka pësuar ndryshime të mëdha, megjithatë duke parë trendët botërorë të përdorimit të radios, mendoj që fokusimi i radios sot duhet të jetë tek ndërtimi i paqes dhe i tolerancës. Prandaj, radio do të vazhdojë funksionimin, por me koncept të ndryshuar dhe të përshtatur për audiencat e ditëve të sotme”, tha Hajrizi.
Në mesin e shumë vështirëve që i janë paraqitur radios si media, kryetari i Institutit të Medias në Kosovë, Fazli Veliu, përmendi disa prej tyre që po e rëndojnë veprimtarinë e tyre në Kosovë, veçanërisht radiove lokale.
“Radio në Kosovë është në gjendje aspak të favorshme, e këtë gjendje e ka rënduar edhe më shumë taksa vjetore prej 360 eurove, të cilën duhet ta paguajnë radiot. Kjo situatë duhet të ndryshojë, andaj i bëj thirrje KPM-së që ta heqin kjo taksë që po i ngarkon radiot financiarisht”, theksoi Veliu.
Njohës i mediave elektronike, Shaban Arifaj sqaroi se pavarësisht disa mendimeve kritike, radio vazhdon të jetë një ndër burimet kryesore të informacionit dhe të zbavitjes.
“Është menduar se pas viteve të ‘70-ta, me intensifikimin e punës së qendrave televizive, do të dobësohej ndikimi i mediave jovizuele, pra radiove, por megjithatë, është parë se radio ka mbetur një ndër burimet kryesore të informacionit”, tha ai.
Ish-kryetari i bordit të KPM-së, Adnan Merovci ka paraqitur gjendjen aktuale të radiove në Kosovë, teksa dha edhe shpjegim sa i përket taksës vjetore të vendosur ndaj radiove lokale.
“Taksa e licencës është çështje ligjore, pasi ligji parasheh këtë taksë. Interesi i shtetit nuk është në këtë taksë, por është në informim. Këtu është edhe pasuria, vlera, fitimi, prandaj ligjërisht duhet të ketë një taksë”, ka thënë Merovci.
Pronari i Radio Malishevës, Habib Zogaj, tregoi përvojën e tij personale, fillimisht si korrespodent i Radio Evropa e Lirë, e pastaj si themelues i radios lokale që është duke e udhëhequr edhe tani.
“Kur të gjitha mediat i kishte në dorë pushtuesi dhe kur i mbylli ato, radio Evropa e Lirë vazhdoi të funksiononte, por me shumë vështirësi dhe atë duke e ndryshuar lokacionin e vet në çdo vit.
Konferenca u mbyll me një diskutim të hapur me audiencën, që e zgjeroi tematikën edhe në çështje dhe problematika të tjera, me të cilat po përballen aktualisht radiot në Kosovë, si dhe ofruan edhe disa zgjidhje për mënyrat se si mund të rregullohen problemet aktuale, në mënyrë që ato mos të mbesin të tilla edhe në të ardhmen.