Studentja e UBT-së përfaqëson Kosovën në projektin e Erasmus+, “Empowering Minorities”
04/02/2019Studentja e Fakultetit Media dhe Komunikim në UBT, Fatbardhë Kiqina ka përfaqësuar Kosovën në projektin për përmirësimin e praktikave për të punuar me minoritetet, “Empowering Minorities”, që u mundësua nga programi Erasmus+ dhe organizatat partnere nga 9 shtete të Evropës.
Fatbardha dhe dy të rinjtë e tjerë që përfaqësuan Kosovën në këtë trajnim ishin tre nga 30 të rinjtë evropianë të cilët dhanë kontribut dhe pasuruan këtë ngjarje me ide, koncepte dhe projekte të mundshme që mund të jetësohen në nivel lokal.
Implementues i këtij projekti për Kosovë, njëherësh edhe përzgjedhës i pjesëmarrësve nga Kosova, ishte organizata joqeveritare, “CET Prizren”, teksa trajnimi u mbajt për një javë në Durrës të Shqipërisë dhe u implementua nga organizata “Dyert e së ardhmes”.
Përpos Kosovës, shtetet tjera pjesëmarrëse ishin edhe Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, Serbia, Greqia, Italia, Çekia dhe Rumania, me ç’rast pjesëmarrësit patën rastin të njoftohen me rrjedhën shoqërore, historinë, kulturën, dhe mbi të gjitha, për problemet dhe stigmën me të cilat përballen minoritetet e secilit vend, gjithmonë duke u fokusuar në mënyrat konkrete të adresimit dhe zgjidhjes së këtyre problemeve.
Në mars do të implementohet pjesa e dytë e këtij projekti, që do të mbahet në Kosovë, kurse pjesa e tretë që do të jetë një vizitë studimore, do të mbahet në muajin shtator në Maqedoni.