Ministri Yagcilar: Depolitizimi dhe transparenca pjesë e reformës për administratën publike (Video)
01/02/2019Administrata Publike e Kosovës është shtylla kryesore e një shteti demokratik, ndërkaq pa një administratë publike moderne, profesionale dhe llogaridhënëse, nuk mund të ofrohen shërbime efikase.
Kështu ka deklaruar sot në UBT ministri i Ministrisë së Administratës Publike, Mahir Yagcilar, në një ligjëratë tematike më temë: “Modernizimi i Administratës Publike në Kosovë- Sfidat dhe Mundësitë”.
Ministri Yagcilar ka potencuar se modernizimi i administratës në Kosovë nënkupton më tepër depolizitim, njëherësh përfshinë llogaridhënie dhe profesionalizëm.
“Strategjia për zgjerim e Bashkimit Evropian e publikuar në shkurt të vitit të kaluar thekson se Reforma e administratës publike është me rëndësi për forcimin e qeverisjes në të gjitha nivelet. Kjo përfshin përmirësimin e cilësisë dhe llogaridhënies së administratës, rritjen e profesionalizmit, de-politizimin dhe transparencën”, theksoi ministri Yagcila .
Yagcila shtoi se procesi i reformave të Administratës Publike përcjellët edhe me sfida të shumta, por se transformimi i këtij sistemi është një investim në demokraci dhe ekonomi.
“Koordinimi ndër-institucional më efikas, rritja e llogaridhënies në administratën publike, rishikimi funksional i të gjitha organeve qendrore dhe të pavarura me opsione të qarta për racionalizimin e tyre, sistem efektiv të raportimit në kohë reale bazuar në të dhëna reale, janë vetëm disa nga sfidat me të cilat po përballet ky sistem”, potencoi ministri Yagcila.
Në bashkëbisedim me studentët e UBT-së, rektori prof.dr Edmond Hajrizi ka thënë se Strategjia për Modernizimin e Administratës Publike e Qeverisë së Kosovës, e cila do të përfundoj në vitin 2020, është politikë e rëndësishme që ndihmon vendin edhe në procesin e integrimit evropian.
Hajrizi potencoi që UBT ka përfituar shumë nga ekspertiza e vendeve të tjera dhe me këtë rast si institucion, studentët dhe stafi akademik mund të kontribuojë në këtë proces.
“Qeveria miratoi vendimin për krijimin e strukturave për menaxhimin e iniciativës së të dhënave të hapura dhe tashmë ekziston një portal kombëtar për të dhëna të hapura. Ne në UBT promovojmë të dhënat e hapura dhe gjithashtu kemi kontribuar në kulturën e të dhënave të hapura dhe kemi publikuar të dhëna të rëndësishme për sektorë të ndryshëm. Vitin e kaluar edhe MAP publikoj edhe raportin e vlerësimit të gatishmërisë për hapjen e të dhënave, apo siç njihet raporti ODRA”, tha rektori Hajrizi.
Tutje, rektori Hajrizi tha se në të ardhmen mund të bashkëpunohet me Ministrinë e Administratës Publike për këtë iniciativë, fillimisht duke organizuar trajnime profesionale dhe hartimin e projekteve në interes publik.
Në fund u tha se modernizimi i Administratës Publike në Kosovë, përmirëson cilësinë e jetës së qytetarëve dhe afron shtetin e Kosovës me shtetet tjera të Bashkimit Evropian.